Manchester Unitedi fiton derbin e pesë golave ndaj Liverpoolit, kualifikohet tutje

Ka përfunduar përballja e ‘zjarrtë’ mes Manchester Unitedit dhe Liverpoolit, e vlefshme për 1/16 e finales së FA Cup.

“Djajtë e Kuq” ia dolën të kualifikohen tutje duke fituar me rezultat të ngushtë 3 – 2, shkruan lajmi.net.

Ishte Mohamed Salah që pas asistimit të Firminos zhbllokoi rezultatin (18′).

Por, pas vetëm tetë minutave Greenwood riktheu në lojë Unitedin pas asistimit të Rashfordit (26′), rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushime.

Në pjesën e dytë, vendasit kaluan të parët në epërsi. Dyshja që bashkëpunuan te goli i parë ndryshuan vendet, pra Greenwood asistoi derisa Rashford shënoi për 2 – 1 (48′).

Mirëpo, Salah sërish barazoi rezultatin pasi u asistua prapë nga Firmino (58′).

Lojë ndryshoi për mirë për Unitedin kur në lojë u inkuadrua Bruno Fernandes, që realizoi golin e fitores (78′).

Ylli shqiptar Xherdan Shaqiri gjithashtu u inkuadrua në ndeshje në minutën e 81-të.

Me këtë fitore, Unitedi kualifikohet në rrethin tjetër, aty ku do përballen me West Ham Unitedin.