Manchester City e ka mundur me përmbysje 2:1 Real Madridin në ndeshjen e parë të 1/8 së finales mes tyre në Ligën e Kampionëve të mërkurën, duke e bërë një hap të madh drejt çerekfinales.
Gabriel Jesus dhe Kevin de Bruyne shënuan në një hapësirë prej pesë minutave për ta përmbysur Realin që kishte kaluar në epërsi përmes Iscos në Bernabeu, raporton Gazeta Express.
Përveç se e humbi takimin, Zinedine Zidane e humbi edhe kapitenin Sergio Ramos i cili u ndëshkua me karton të kuq dhe do të mungojë në ndeshjen e kthimit.
Gjiganti spanjoll e viziton Mançesterin për t’u përballur me Manchester City më 17 mars, në përpjekje për ta shmangur eliminim e hershëm.
Një pjesë e parë e barabartë dhe me raste nga të dy anët, u mbyll pa gola.
Isco e theu akullin kur akrepat shënonin një orë lojë, duke shënuar përballë Edersonit, pasi e mori një top të fituar nga Vinicius Jr.
Vizitorëve nga Anglia, megjithatë, iu deshën vetëm pesë minuta për t’i përmbysur gjërat. Kevin de Bruyne u përshi në të dy golat e triumfit të City.
Mesfushori belg së pari e shërbeu Jesusin, i cili shënoi me kokë duke kërcyer mbi Sergio Ramosin në minutën e 78-të.
Vetëm pesë minuta më vonë, De Bruyne shënoi nga penalltia, të cilin e fitoi i rikthyeri nga lëndimi, Raheem Sterling.
Gjërat u përkeqësuan për Realin katër minuta para fundit, kur kapiteni Ramos mori karton të kuq pasi si lojtari i fundit në fushë e ndali në mënyrë të rregullt Jesusin.