Manchester City ka shënuar fitore në derbin e xhiros së gjashtë në Ligën Premier, pasi ka mposhtur Chelsean 0-1.
Ndeshja nisi me ritëm jashtëzakonisht të lartë, ku dy skuadrat organizonin sulme të shpejta dhe kjo kënaqte tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit.
Londinezët rrezikuan të parët me Timo Werner, por gjermani nuk arriti ta dërgonte topin në rrjet pas një kundërsulmi të shpejtë.
Kampioni në fuqi i Anglisë krijoi dy mundësi të mira shënimi në pjesën e parë, me Rodrin e Gabriel Jesus, por që asnjëri nuk arriti të shënonte.
Kësisoj 45 minutat e para përfunduan ashtu siç filluan me rezultat të bardhë 0-0.
Njësoj si pjesa e parë, edhe në të dytën kishte ritëm të lartë në fushë dhe aksione të bukura.
Jack Grealish rrezikoi i pari, por që goditja e tij shkoi pranë portës së Eduardo Mendyt.
Në minutën e 53-të ndeshja u zhbllokua, ku Gabriel Jesus shënoi gol pas asistimit të Joao Cancelos për 0-1.
Për brazilianin ky ishte goli i parë që i shënon Chelseat në 11 ndeshje.
Chelsea tentoi të rikthehet në lojë, duke arritur golin në minutën e 63-të me Romelu Lukakun, por që u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.
Rast fantastik pati edhe Mateo Kovacic, por goditjen e tij që po shkonte në drejtim të portës e devijoi mbrojtësi Ruben Dias.
City ka mundur më herët të siguroj fitoren, por Jack Grealish dështoi të shënonte përballë portierit Mendy.
Chelsea deri në fund tentoi të barazonte rezultatin, por një gjëje të tillë nuk ia arriti dhe City mori tri pikë të mëdha nga kjo ndeshje
Me këtë fitore, City ngritet në vendin e dytë në tabelë me 13 pikë, sa ka edhe Chelsea një pozitë më poshtë.
Ndeshjen e radhës Chelsea do ta zhvilloj përsëri në Stamford Bridges, ku do të jetë nikoqir i Southamptonit, ndërsa Manchester City do të jetë mysafir i Liverpoolit në Anfield. /