Malli i thyer

Edison ÇERAJ, Tiranë

Çdo ideologji, mbasi ka lëshu rranjë në nji shoqëri, mundohet me çdo mjet të mundshëm, veçmas përmes dhunës sistemike, që t’u mbivendosë njerëzve nji mënyrë jetese nga lart poshtë, duke blloku kështu rrjedhën natyrore të gjanave. Herë bahet thirrje për “jetën e re”, herë të tjera për “rikthim te rranjët”, që në thelb është e njajta gja. Nji pjesë e mirë e veprës së Kadaresë i ka shërby kësaj të dytës.

Edison ÇERAJ, Tiranë

Nji prej aspekteve kryesore të veprës së Kadaresë është konstruktimi i nji të shkuare ideale, gati mitike të shqiptarëve, e cila, sipas tij, u ndërpre me pushtimin osman. (“Kështjella”, “Kush e solli Doruntinën”, “Ura me tri harqe”, “Prilli i thyer” etj.) E thanë ndryshe, çdo gja ishte e përsosur para ardhjes së osmanëve, më pas çdo gja u përmbys; nga drita në errësirë.

Kjo dëshmon për nji karakter tipik ideologjik të veprës së tij, ku nëpërmjet trillimit letrar (fictus/fiction) u bahet thirrje shqiptarëve që të ndërgjegjësohen për këtë të shkuar dhe ta rikthejnë atë sa ma shumë të jetë e mundur.

Ndarja e periudhave, ngjarjeve dhe personazheve në bardh e zi është tipike ideologjike. Jeta dhe realiteti njerëzor ka edhe shumë ngjyra të tjera, nganjiherë aq shumë, sa nuk ka tekst letrar ose shkencor qoftë, që mund t’i përfshijë.

Çdo ideologji, mbasi ka lëshu rranjë në nji shoqëri, mundohet me çdo mjet të mundshëm, veçmas përmes dhunës sistemike, që t’u mbivendosë njerëzve nji mënyrë jetese nga lart poshtë, duke blloku kështu rrjedhën natyrore të gjanave. Herë bahet thirrje për “jetën e re”, herë të tjera për “rikthim te rranjët”, që në thelb është e njajta gja. Nji pjesë e mirë e veprës së Kadaresë i ka shërby kësaj të dytës, “rikthimit te rranjët”, te nji e shkuar e cila na vjen përmes krijimit letrar, domethanë përmes trillimit, dashurisë dhe dëshirës së autorit se si ka qenë apo duhet të ketë qenë e shkuara jonë.

Problemi fillon kur autori dhe ndjekësit e tij e paraqesin tekstin letrar si nji të vërtetë e cila duhet të na orientojë në jetë. Ky është nji keqkuptim që shkakton jo pak ndasi e përçarje në nji shoqëri. Në fakt, jo pak shkrimtarë e kanë kthy në subjekt të veprës së tyre këtë: Don Kishoti, Ana Karenina, Ema Bovaria etj., ku nji prej elementeve kryesore në jetën e këtyre personazheve ishte se ishin të dhanë mbas leximit të romaneve, prej të cilëve ndikohen aq shumë, saqë nisën aventurën për me jetu sipas asaj që kishin lexu dhe dihet përfundimi i tyre.

“Nji prej besëtytnive ma të shpeshta e ma të përhapura është edhe ajo kur njeriu reduktohet vetëm në disa cilësi të përcaktuara prerazi, të llojit njeri i mirë, i keq, inteligjent, i marrë, energjik, i plogët etj. Por, njerëzit nuk janë të tillë. Mund të themi për dikë se është ma tepër i mirë se i keq, ma shumë inteligjent se i marrë, ma tepër energjik se i plogët dhe anasjelltas. Ama nuk do të ishte e vërtetë nëse do të thonim se është i mirë apo inteligjent, i keq apo i marrë. Por, ja që gjithmonë kështu i ndajmë njerëzit. Kjo është e gabuar. Njerëzit janë si lumenjtë: uji është i njajtë te secili dhe gjithandej, por çdo lumë është herë i ngushtë, herë i shpejtë, herë i gjerë, herë i qetë, herë i kthjellët, herë i ftohtë, herë i turbullt e herë i ngrohtë. Kështu janë edhe njerëzit.

Çdo njeri mban në vetvete, në gjenet e tij, të gjitha vetitë njerëzore: nganjiherë ai shfaq disa, nganjiherë disa të tjera, e shpeshherë ai nuk është aspak si vetja, pavarësisht se është gjithnjë i veçantë, gjithnjë vetvetja.” (Tolstoi, “Ringjallja”, përkth.: E.Ç)

Diversiteti, larmia është frika ma e madhe për çdo pushtet, dhe ipso facto, unifikimi mbetet dashuria ma e madhe e çdo pushteti. Letërsia na kujton gjithmonë të kundërtën: larminë.

Kështu, në disa prej romaneve të tij, por edhe në tekste të tjera, Kadareja ka lëvru nji lloj letërsie dhe mendimi të angazhuar, i përqendruar te fati i shqiptarëve, domethanë jo atë letërsi të përbotshme që i drejtohet njeriut si të tillë, përtej përkatësive që imponon koha dhe hapësira. Kadareja mbetet nji shkrimtar shqiptar, sepse letërsia e tij i drejtohet kryesisht shqiptarit.

Kjo shpjegon edhe arsyen se pse personazhet e tij nuk kanë peshën e nji Penelope, Hamleti, Don Kishoti, Panurgu, Alioshe, Jozef K-je… Kadareja i përdor personazhet për hir të bindjes së tij rreth të shkuarës së shqiptarëve (“Kush e solli Doruntinën”). Ata nuk janë të lirë apo të pavarur në rrugëtimin e tyre, por të kontrolluar mjeshtërisht deri në sakrificë. Ka nji lloj frike te autori që nuk e len me u besu personazheve që krijon. Çdo gja ndodh jashtë tyre, jo brenda tyre.

“Ku është teksti i pjesës teatrale? Teksti ku është? – Brenda nesh, zotëri. Drama është brenda nesh.” (Pirandello)

Kjo dramë e njeriut mungon te Kadareja, sepse ai është përqendru jashtë njeriut, te drama shqiptare, se pse shqiptarët janë këta që janë e nuk mbetën ata që ishin dikur, në atë kohë që ai e stilizon dhe idealizon mjeshtërisht. Por, ja që çdo gja është në lëvizje, krejt materia, e si të mos jetë në lëvizje e kërkim edhe njeriu?!

Fillimisht (jo në fillim) shqiptarët ishin paganë, mandej në nji pjesë të madhe u banë të krishterë, pastaj po nji pjesë e madhe pranoi fenë islame, mandej me komunizmin pothuajse u zhveshën nga feja, pastaj…

Sido që ta marrim këtë dinamikë, brenda saj ka kërkim: dije, padije, rebelim, pendim, gjakim, zhgënjim, dorëzim, braktisje, arrati e shumëçka tjetër.

Jemi ata që jemi dhe jo ata që “duhet” të jemi. Çdo “duhet” lipset të burojë, përndryshe e turbullon burimin (që të duket i thellë). /revistashenja