Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në mbarë terrirtorin e Malit të Zi është shpallur meteoalarmi i kuq. Në 12 orët e fundit më shumë reshje janë regjistruar në Cetinje, 215 litra në një metër katrorë, kurse për shkak të motit të keq, ky qytet ka mbetur pa energji elektrike, raporton Anadolu Agency (AA).
Reshjet e dendura, të shoqëruara me erëra të fuqishme nga jugu, mëngjesin e sotëm kanë përfshirë tërë Malin e Zi. Gjatë 12 orëve të fundit është regjistruar sasi e madhe e të reshurave në të gjithë vendin, ku më shumë në Cetinje, 215 litra për metër katror, në Podgoricë 75 litra, në Nikshiq dhe Kolashin 65, në Shavnik 60 litra, dhe në Zhabljak 54 litra për metër katrorë.
Gjithashtu janë regjistruar edhe erëra të forta deri në 70 kilometra në orë.
Erërat e forta dhe moti i stuhishëm solli shumë probleme në Cetinje. Gjatë natës, qyteti mbeti pa energji elektrike, kurse ekipet zjarrfikëse kanë ndërhyrë vazhdimisht gjatë mëngjesit për të pompuar ujin nga bodrumet e përmbytura.
Sipas Institutit për hidrometeorologji dhe sizmologji, në disa vende priten reshje të dendura. Në fund të ditës, reshjet do të ulen ndjeshëm, kurse në perëndim dhe jugperëndim do të ndalen plotësisht.