Përfaqësuesit e opozitës kanë ndërprerë sot seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Malit të Zi, ku është dashur të shqyrtohet Projektligji për buxhetin e këtij viti.
Anëtarët e opozitës kanë qëndruar para kryetarit të Kuvendit Andrija Mandiq, duke mos lejuar që seanca të zhvillohet.
Opozita bllokoi punën e Kuvendit për shkak të vendimit të Komisionit Kushtetues për të miratuar vendimin për pensionimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese Dragana Gjuranoviq dhe synimit të shumicës parlamentare për të pensionuar edhe dy gjyqtarë të kësaj gjykate.
Seanca e sotme nisi me njoftimin e kryeparlamentarit se do të diskutohet për buxhetin, pas së cilës deputetët e DPS, URA, SD dhe HGI kanë lëshuar vendet e tyre dhe kanë bllokuar punën e Kuvendit.
Deputetët e mazhorancës janë larguar nga salla, ndërsa opozita është ende e ulur në sallën plenare.
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi Andrija Mandiq ka paralajmëruar deputetët e opozitës dhe ka njoftuar se së shpejti do të njoftohen për sanksionet.
Sot edhe godina e Kuvendit është mbushur me prezencë të shtuar policore dhe rreth objektit janë vendosur gardhe mbrojtëse.
Buxheti i Malit të Zi duhej të ishte miratuar para fundit të vitit 2024, por në vitin 2025, Mali i Zi hyri në financim të përkohshëm. Për shkak të kësaj, tashmë këtë muaj pagesat ndaj përfituesve social vonohen, ndërsa pagesa e pensioneve për momentin është e rregullt.