Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Maldivet kërkojnë hetime për krime lufte kundër Izraelit lidhur me sulmet në...

Maldivet kërkojnë hetime për krime lufte kundër Izraelit lidhur me sulmet në Gaza

Maldivet i bënë thirrje të mërkurën Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) të hetojë akuzat për krime lufte të kryera nga Izraeli kundër palestinezëve, raporton Anadolu.

“Veprimet e qëllimshme të Forcave izraelite të Mbrojtjes janë të barabarta me krime lufte dhe shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha presidenti i Maldiveve, Mohamed Muizzu në një deklaratë gjatë shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez.

Duke dënuar luftën e Izraelit në Gaza, Muizzu e përshkroi atë si “pushtim brutal dhe dënim kolektiv që po bën Izraeli kundër civilëve të pafajshëm të Palestinës”.

Ai bëri thirrje “për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, sigurimin e mallrave thelbësore, përfshirë ushqimin, karburantin dhe ilaçet, dhe fundin e zhvendosjes masive të detyruar në Palestinën e pushtuar”.

Maldivet besojnë se një shtet i pavarur palestinez është çelësi i paqes së qëndrueshme, theksoi ai.

Ndërkohë, Indonezia gjithashtu bëri thirrje për një shtet të pavarur të Palestinës.

“OKB-ja duhet të votojë për anëtarësimin e plotë të Palestinës, e cila aktualisht mban statusin e vëzhguesit jo-anëtar”, tha ministri i Jashtëm indonezian, Retno Marsudi në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën.

Duke iu drejtuar takimit të OKB-së, ministri i Jashtëm i Malajzisë, Zambry Abd Kadir bëri thirrje të zëshme për armëpushim të qëndrueshëm dhe të menjëhershëm në Gaza, duke hedhur poshtë zhvendosjen e detyruar të palestinezëve.

Ai bëri thirrje për furnizim të papenguar të ndihmave humanitare për enklavën e rrethuar palestineze.

Izraeli nisi fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Që nga fillimi i luftimeve janë vrarë mbi 15.000 palestinezë, përfshirë 6.150 fëmijë dhe 4.000 gra, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1.200.

Exit mobile version