Makina hyn në një klasë, dy nxënës të vdekur

Dy djem 8-vjeçarë mbetën të vrarë në një aksident të pazakontë që tronditi Sidnejin. Një makinë u përplas me një shkollë fillore, mëngjesin e së martës, duke hyrë në klasë.

Përpos viktimave, pati edhe 3 vajza të plagosura. Shumica e 19 fëmijëve të klasës u asistuan nga ndihma e shpejtë.

Drejtuesja e automjetit, një grua 52-vjeçare u shoqërua në polici. Ajo po i nënshtrohet analizave të detyruara të gjakut e urinës. Autoritetet nuk besojnë se bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm.

Ngjarja ndodhi në periferi të Greenacre, dhe burimet mjekësore treguan për pamje rrënqethëse në vendin e ngjarjes.

Dy djemtë u dërguan në një spital të afërt, ku humbën jetën për shkak të plagëve të marra. Një vajzë 9-vjeçare mbetet në gjendje të rëndë. Sipas policisë, një numër fëmijësh pësuan lëndime dhe u trajtuan në vendngjarje.