Makarona me salmon dhe bizele

Përbërësit për 4 persona: 350 g makarona flutur ● 200 g salmon i tymosur ● 250 g bizele konserve ose të freskëta të ziera paraprakisht ● 1 qepë e vogël jo djegëse ● 30 g gjalpë ● 150 ml pana ● 100 g djathë Philadelphia ● 1 lugë salcë domatesh ● arrë moskat dhe kripë.

Përgatitja: Vëmë makaronat të ziejnë në tenxhere me ujë të kripur dhe ndërkohë përgatisim salcën. Në një tigan të madh skuqim qepën me gjalpin, shtojmë bizelet e kulluara nga lëngu i konservës dhe salmonin të prerë në copa. I skuqim për disa minuta në flakë të mesme, shtojmë panën, pak kripë, arrë moskat dhe salcën e domateve. I lëmë të marrin valë, pas pak minutash fikim zjarrin, shtojmë djathin Philadelphia, e përziejmë dhe e lëmë mënjanë. Kur makaronat të jenë zier, i kullojmë, i hedhim te tigani ku kemi përgatitur salcën dhe i përziejmë për një minutë në flakë të ulët. I shërbejmë menjëherë.

Kjo recetë u përgatit nga Linda Fishta