Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi është fituese e medaljes së artë në kategorinë deri në 52 kg kurse xhudistja tjetër kosovare Nora Gjakova fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 57 kg, ku të dyja ngadhënjyen me ippon, në Kampionatin Evropian të Xhudos që po mbahet në Poloni.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Kujtim Shala, uroi xhudistet Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova duke u shprehur se “tashmë fitoret e xhudisteve tona nuk i dëshmojnë vetëm cilësinë dhe rezultatet, por janë një shembull i punës për sportistët tjerë që duan të ndjekin rrugëtimin drejt suksesit”, thuhet në një njoftim nga MKRS.
Po ashtu, Shala ka thënë se MKRS-ja po punon në hartimin e politikave sa më të mira për sportin por edhe duke investuar në infrastrukturë. Në muajin shkurt, MKRS-ja ka nënshkruar memorandum për ndërtimin e Palestrës Nacionale të Xhudos në Pejë, ku ka ndarë 1 milion e 500 mijë euro.
Në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare, xhudistja Majlinda Kelmendi do të shpërblehet me 20 mijë euro, ndërsa Nora Gjakova me tetë mijë euro. Trajneri Driton Kuka do të shpërblehet me 14 mijë euro, thuhet në njoftim.
Edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pë rmes llogarisë në mediat sociale ka uruar xhudistet duke u shprehur se “Majlinda Kelmendi dhe xhudistet tona po vazhdojnë t’i sjellin Kosovës lajme të mira, gëzime të mëdha dhe momente krenarie. Me medaljen e sotme të artë, ajo shënoi hat-trick në Kampionatin Evropian të Xhudos”.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa për fitoren e xhudisteve kosovare në mediat sociale ka uruar ato duke thënë se Qeveria e Kosovës tashmë i ka siguruar buxhetin dhe projektin për ndërtimin e Palestrës Nacionale të Xhudos në Pejë, e cila do të fillojë të ndërtohet gjatë këtij viti, ku do të stërviten kampionet tona aktuale si dhe brezat e rinj të xhudistëve të Kosovës.
“Mbretëresha e xhudos, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova i sollën vendit edhe dy trofe. Medalja e Artë e Majlindës dhe Medalja e Bronztë e fituar nga Nora në Kampionatin Evropian në Poloni e rikthyen Kosovën në majat e sportit evropian”, ka thënë Mustafa.