Fushata nacionaliste për ta ndryshuar emrin e majës më të lartë në Bullgari që tingëllon si arab me emrin e një shenjti të krishterë përballet me një pengesë tjetër.
Komiteti i Presidencës Bullgare për Emërtimin e Objekteve me Rëndësi Kombëtare dhe Komuniteteve ka refuzuar të mbështesë një thirrje për të riemërtuar majën Musala, pikën më të lartë në vend me emrin e shenjtorit mbrojtës të Bullgarisë.
Presidenca hodhi poshtë kërkesën e paraqitur nga guvernatori rajonal i Sofjes, Ilian Todorov, me arsyetimin se duhen konsultime ekspertësh dhe “debat publik serioz”, zbulon një letër drejtuar administratës rajonale, cituar nga agjencia Focus.
Komisioni gjithashtu theksoi etimologjinë e paqartë të emrit të majës 2,925 metra të lartë, për të cilin disa besojnë se vjen nga fjala arabe “musalla” – një vend për namazin islam.
Një arsye tjetër pse komisioni refuzoi kërkesën është se ndryshimi i emrit të nënkupton ribërjen e hartave, dokumenteve dhe udhërrëfyesve turistikë, gjë që nuk dëshirohet të bëhet momentalisht.
Todorov i ka kërkuar vazhdimisht Presidentit Rumen Radev që të ndryshojë emrin “turqisht-arabisht” të majës me emrin e Shën Ivan Rilskit, njërit nga “shenjtorët” më të rëndësishëm të Kishës Ortodokse Bullgare.
Emri i majës Musala daton nga periudha e sundimit osman në Bullgari që zgjati nga viti 1396 deri në vitin 1878.
Prej vitit 1942 deri në vitin 1962 maja “Musala” mbajti emrin e diktatorit sovjetik Joseph Stalin. /kallxo/