Magnezi është ndër mineralet esenciale për funksionim normal të organizmit tonë, duke ndihmuar shumë procese që kontrollojnë mënyrën e funksionimit të nervave dhe muskujve. Poashtu, ndihmon për të mbajtu eshtra të fortë, ndikon në shëndetin e zemrës dhe mbajtjen e nivelit normal të sheqerit në gjak.
Një organizëm i rritur përmban rreth 25 g magnez, 50-60% e të cilit ruan sistemin skeletor. Pjesa tjetër është e pranishme në muskuj, inde të buta dhe lëngje trupore.
Magnezi është një nga shtatë makrominerelet thelbësore. Këto makrominerale janë minerale që njerëzit duhet të konsumojnë në sasi relativisht të mëdha – të paktën 100 mg në ditë. Mikromineralet, si hekuri dhe zinku, janë po aq të rëndësishëm, megjithëse njerëzit kanë nevojë për to në sasi më të vogla.
• Sa është doza ditore e këtij minerali për organizmin tonë?
• Femrat moshërritura: 310 mg në ditë, ndërsa pas moshës 31 vjeçe 320 mg në ditë;
• Gratë shtatzëna: kanë nevojë për 40 mg më shumë;
• Meshkujt moshërritur: 400 mg në ditë, ndërsa pas moshës 31 vjeçe 420 mg në ditë;
• Fëmijët kanë nevojë nga 30 deri në 410mg, varësisht nga mosha dhe gjinia.
• Burimet ushqimore të këtij minerali
Magnezi është një mineral i bollshëm në organizëm, natyrisht se është i pranishëm në shumë ushqime natyrale, i shtuar në produkte ushqimore, të cilët gjinden si shtesë dietike, dhe i pranishëm në disa barna siq janë antacidet dhe laksativët.
Magnezi gjindet në ushqime bimore, shtazore dhe në lëngje. Ushqimet e pasura me magnez janë:
Çokollata e zezë, avokado, arroret (bajamet, arra braziliane), bishtajoret (thjerrëzat, fasulet, qiqrat, bizelet dhe soja), tofu ( i njohur si qumësht soje, ka përdorim të gjerë sidomos tek vegjetarianët), farërat (lulediellit, lirit, kungullit, chia), drithërat (gruri, elbi, tërshëra) dhe pseudodrithërat (hikërrori dhe kuinoa), peshqit yndyrorë (salmoni), bananet, perimet e gjelbra (spinaqi, kale, brokoli).
• Sa është e rëndësishme marrja e magnezit gjatë shtatëzanisë?
Shumë gra shtatzëna ankohen për ngërçe të muskujve dhe dhimbje të barkut, gjë që mund të ndodhë si pasojë e mungesës së magnezit.
Simptoma të tjera të mungesës së magnezit janë palpitacione të forta dhe rraskapitje. Në rast të simptomave të tilla, të bëhet një analizë e këtij minerali dhe më pas mjeku gjinekolog e përshkruan dozën e saktë.
Nëse gjatë shtatëzanisë shfaqet mungesë e madhe e magnezit, dhimbjet e mëdha të barkut mund të qojnë në kontraktime të parakohshme, si dhe në rastin më serioz në lindje të parakohshme.
Kur një shtatzënë ka mungesë të magnezit, efekti balancues në sistemin kardiovaskular ulet dhe si pasojë e kësaj rritet rreziku për hipertensionin gjatë shtatzënisë. Përveç kësaj, mungesa e magnezit dyshohet gjithashtu se është përgjegjës për intensifikimin e vjelljes tek gratë shtatzëna.
• Magnezi gjatë gjidhënies
Gratë gjidhënëse kanë nevojë më të madhe për mangez, duke filluar prej 390 mg, sepse sasi e madhe e magnezit kalon te foshnja përmes qumështit të gjirit, i cili përmban mesatarisht 3 mg magnez për çdo 100 ml.
• Mungesa e maagnezit tek fëmijët
Mungesa e magnezit tek fëmijët mund të shkaktohet nga shumë faktorë, por kryesisht nga dieta ushqimore e varfër me këtë mineral.
Stresi dhe ushtrimet intensive janë faktorë të tjerë të zakonshëm, të cilët mund të ulin nivelin e mangezit në organizëm.
Shenja të tjera të mungesës së këtij minerali tek fëmijët përfshijnë shqetësimin, bluarjen e dhëmbëve dhe ndjeshmërinë ndaj zhurmës. Tensioni i muskujve, ngërçe dhe spazma (veçanërisht në muskujt e vegjël siç është kapaku i syrit), janë gjithashtu simptoma tipike të mungesës së magnezit.
Është shumë e rëndësishme të monitorohet niveli i magnezit, pasi mungesa kronike mund të ketë efekt në kushte të tilla si diabeti (tip 2), rezistenca ndaj insulinës, çrregullimet kardiovaskulare dhe osteoporoza. Patjetër të konsultoheni me mjekun pediatër dhe të bëni analizë të këtij minerali, në rast se fëmija juaj shfaq simptoma të mungesës së tij.
• Suplementet e Magnezit
Thithja e magnezit ndryshon varësisht nga lloji i shtesave (lëndëve ndihmëse) të magnezit. Format e magnezit që shpërndahen mirë në lëng, thithen shumë më mirë në zorrë sesa format më pak të tretshme.
Kujdes: Dozat shumë të larta të zinkut si suplement (142 mg në ditë) mund të ndërhyjnë në thithjen e magnezit dhe të prishin ekuilibrin e magnezit në organizëm!
• Rreziqet nga marrja e dozave të larta te magnezit
Marrja e sasive të mëdha të këtij minerali nga ushqimet, nuk paraqet rrezik për shëndetin tek individët e shëndetshëm, sepse veshkat eliminojnë sasitë e tepërta të tij në urinë. Sidoqoftë, doza të larta të magnezit nga shtojcat dietike ose barnat, shpeshherë rezultojnë me diarre që mund të shoqërohet me nauze dhe ngërçe barku. Format e magnezit që më së shpeshti shkaktojnë diarre përfshijnë karbonat magnezi, klorur, glukonat dhe oksid magnezi.
Doza shumë të mëdha të laksativëve dhe antacideve që përmbajnë magnez (zakonisht mbi 5,000 mg mangez në ditë) janë shoqëruar me toksicitetin e magnezit.
• Helmimi me magnez mund të përfshijë:
Hipotension, nauze, të vjella, skuqje të fytyrës, mbajtje të urinës, depresion dhe letargji, përpara se të përparojë në dobësi të muskujve, vështirësi në frymëmarrje, rrahje e parregullt e zemrës dhe arrest kardiak.
Rreziku i toksicitetit të magnezit rritet tek personat që kanë veshka me funksion të dëmtuar ose dështim të veshkave, sepse zvogëlohet ose humbet aftësia për të hequr magnezin e tepërt nga organizmi.
Saherë të kërkoni këtë mineral, patjetër të konsultoheni me mjekun dhe farmacistin për barnat shtesë që merrni, në mënyrë që të evitohen ndërveprimet që mund të jenë mjaft të rrezikshme për shëndetin tuaj!/Familjadheshendeti.com /Nga: Mr. Ph Laureta Berisha Kosumi, Farmaciste