Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka ritheksuar se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një kusht thelbësor për integrimin evropian të të dyja vendeve.
Gjatë një takimi të mbajtur të mërkurën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Macron ka theksuar rëndësinë e dialogut mes dy vendeve dhe rolin që Franca ka në këtë proces.
“Kemi diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Franca është thellësisht e lidhur me këtë. Ky është një kusht thelbësor për integrimin evropian të tyre,” ka shkruar Macron në platformën “X”.
Në postimin e tij, Macron ka dhënë detaje nga biseda me Vuçiqin, duke përmendur angazhimin e Francës për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Serbisë, si dhe nevojën për vazhdimin e reformave dhe konsolidimin e rezultateve ekonomike.
Ai ka theksuar gjithashtu mbështetjen e palëkundur të Francës për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke përfshirë edhe angazhimin për stabilitetin dhe rendin kushtetues në Bosnjë-Hercegovinë.
Në fund të deklaratës së tij, Macron ka përmendur edhe bashkëpunimin e zgjeruar politik, ekonomik dhe të mbrojtjes mes Francës dhe Serbisë, duke konfirmuar pjesëmarrjen e Francës në Expo 2027 që do të mbahet në Beograd.