Macron u kërkon kompanive franceze të pezullojnë investimet në SHBA

Presidenti francez Emmanuel Macron u kërkoi kompanive franceze që të ndalojnë përkohësisht të gjitha projektet e investimeve në SHBA pas njoftimit të presidentit Donald Trump për një rritje të konsiderueshme të tarifave doganore kundër BE-së, raporton Anadolu.

Gjatë një takimi në Pallatin Elysee me përfaqësues nga industritë franceze më të prekura nga tarifat e propozuara, Macron theksoi rëndësinë e qartësisë përpara se të vazhdohet me investime të mëtejshme transatlantike.

Takimi u mbajt në përgjigje të njoftimit të Trumpit për tarifa gjithëpërfshirëse ndaj dhjetëra vendeve dhe rajoneve ekonomike, përfshirë Bashkimin Evropian. Importet nga BE-ja do të përballen me një tarifë shtesë prej 20 për qind, ndërsa të tjerët do t’i nënshtrohen një tarife minimale prej 10 për qind.

“Ajo që është e rëndësishme është (…) që investimet e ardhshme, ose ato të shpallura në javët e fundit, të pezullohen përkohësisht derisa të kemi sqaruar gjërat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Macron.

Ai paralajmëroi se do të dërgohej mesazh i gabuar nëse bizneset evropiane do të vazhdonin të derdhnin miliarda në ekonominë amerikane në një kohë kur vendi po vendosë tarifa të ashpra ndaj Evropës.

Ai gjithashtu e quajti vendimin “brutal dhe të pabazuar”, duke paralajmëruar se këto kufizime të reja tregtare do të kenë “ndikim masiv” në ekonominë evropiane dhe duke theksuar rëndësinë e unitetit evropian në përgjigje të krizës.

Ai shprehu besimin se, në planin afatgjatë, politikat e tilla do të dëmtojnë ekonominë amerikane. “Amerikanët do të dalin më të dobët dhe më të varfër”, paralajmëroi ai.

Macron gjithashtu u bëri thirrje vendeve evropiane që të qëndrojnë së bashku në vend që të përpiqen të negociojnë në mënyrë të pavarur me Washingtonin.

Ai paralajmëroi kundër çdo përpjekjeje për të “luajtur vetëm” në kërkim të përjashtimeve ose marrëveshjeve të veçanta, duke theksuar nevojën për një përgjigje kolektive ndaj tarifave të reja.