Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se homologu i tij amerikan, Donald Trump, do të ndihet “i tradhtuar dhe i mashtruar” nëse Rusia nuk jep një “përgjigje të qartë” në lidhje me një armëpushim të propozuar në Ukrainë, transmeton Anadolu.
“Nëse Rusia nuk jep një përgjigje të qartë, atëherë, me të drejtë, presidenti Trump do të ndihet i mashtruar dhe i tradhtuar dhe do të duhet të reagojë”, tha Macron në një konferencë për media pas samitit të BE-së në Paris.
Macron po ashtu kërkoi nga presidenti kinez, Xi Jinping, të luajë “një rol plotësisht aktiv” në nxitjen e paqes, duke përmendur lidhjet diplomatike të Kinës me Rusinë dhe përpjekjet e mëparshme për paqe me Brazilin.
“Shpresoj se presidenti Xi mund të na ndihmojë të ndërtojmë një paqe solide dhe të qëndrueshme”, tha Macron, duke theksuar pozicionin e Kinës si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Për të përforcuar aleatët e Ukrainës, Macron njoftoi se ai dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, do të udhëheqin së bashku përpjekjet për të koordinuar mbështetjen ndërkombëtare për Kievin.
Të dy liderët synojnë të forcojnë aftësitë mbrojtëse të Ukrainës dhe mbështetjen diplomatike mes agresionit të vazhdueshëm rus.
Macron gjithashtu foli për një propozim për vendosjen e “forcave të sigurimit” nga vende të zgjedhura evropiane në lokacione strategjike në Ukrainë.
“Ato do të kishin një efekt parandalues kundër agresionit të mundshëm rus”, tha ai.
“Këto trupa, nga disa vende për shkak të mungesës së mbështetjes unanime, do të vendosen në zona strategjike të para-identifikuara me marrëveshjen e Ukrainës”, shpjegoi ai.
Ai shtoi se “kërkon” mbështetjen amerikane për një vendosje evropiane, por tha se ai gjithashtu dëshiron të përgatitet për një skenar pa SHBA-në.
Macron njoftoi planet për të dërguar një ekip franko-britanik në Ukrainë për të ndihmuar në trajnimin e ushtrisë së saj, duke formuar strukturën e ardhshme të ushtrisë ukrainase.
Ai gjithashtu konfirmoi se BE-ja po përshpejton disbursimin e kredive të miratuara nga G7-ta për t’i siguruar Ukrainës mbështetjen financiare shumë të nevojshme.
Presidenti francez ripohoi se sanksionet ndaj Rusisë nuk do të hiqen, duke theksuar se ky vendim është rënë dakord në mënyrë unanime në samitin e Parisit.
“Sanksionet ndaj Rusisë nuk do të hiqen, siç u ra dakord unanimisht në samitin e Parisit”, tha ai, duke theksuar presionin e vazhdueshëm ekonomik ndaj Moskës.
“Për aq kohë sa Rusia vazhdon agresionin e saj, nuk do të ketë lehtësim të sanksioneve”, shtoi ai.