Macron shpreh keqardhje për operacionet e vazhdueshme ush’tarake të Iz’raelit në Liban

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka shprehur keqardhje për sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Liban, si dhe zhgënjimin e tij që thirrje për një pauzë 21-ditore të armiqësive, e bërë së bashku me presidentin amerikan Joe Biden, akoma nuk është marrë në konsideratë, transmeton Anadolu.

“Më vjen keq që Izraeli vazhdon operacionet e tij ushtarake në jug të Libanit, në Bejrut dhe gjetiu dhe se numri i viktimave civile vazhdon të rritet”, tha Macron gjatë konferencës së ndihmës për Libanin që po mbahet në Paris.

Macron po ashtu tha se i vjen keq edhe për atë që “apeli i tij dhe i presidentit Biden, i bërë më 25 shtator për një pauzë 21-ditore të armiqësive, akoma nuk është marrë në konsideratë”.

Duke theksuar nevojën urgjente për një armëpushim për të mbrojtur civilët e prekur nga konflikti, Macron njoftoi se vendi i tij do të premtojë 100 milionë euro (106 milionë dollarë) ndihmë për Libanin në përgjigje të një apeli urgjent të OKB-së, i cili kërkon 426 milionë euro për ndihmë ndaj Libanit.

“Ne duhet të strehojmë familjet, të ushqejmë fëmijët dhe të sigurojmë që nxënësit të vazhdojnë shkollimin e tyre”, tha ai. Duke kritikuar Izraelin për vazhdimin e operacioneve ushtarake në Liban, duke çuar në një numër në rritje të viktimave civile, ai tha se “lufta duhet të përfundojë sa më parë dhe të ketë armëpushim në Liban”.

Presidenti francez shprehu solidaritetin e tij me Libanin, duke theksuar nevojën urgjente për ndihmë humanitare mes zhvendosjes në rritje për shkak të operacioneve të vazhdueshme ushtarake izraelite. “Zbatimi i plotë i Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga të gjitha palët mbetet kritik për arritjen e paqes dhe sigurisë”, theksoi Macron.

Kryeministri libanez, Najib Mikati përsëriti thirrjen për armëpushim të menjëhershëm që mund të ketë “ndikim të menjëhershëm në qetësimin e tensioneve” në jug të Libanit dhe të çojë në rrugën drejt “stabilitetit të qëndrueshëm afatgjatë”.

“Humbja e jetëve civile libaneze dhe shkatërrimi mund të ishte shmangur nëse Izraeli do ta kishte pranuar miratimin e deklaratës së përbashkët, të lëshuar më 25 shtator, e cila u drejtua nga SHBA-ja dhe Franca”, tha kryeministri libanez.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, foli në konferencë përmes një video-mesazhi, ku u kërkoi “miqve të Libanit të mbështesin përpjekjet e vazhdueshme të reagimit humanitar, përfshirë financimin e shpejtë të Libanit”.

Ai shprehu keqardhje për situatën e rëndë në rajon dhe theksoi se “ajo që po ndodh sot në Liban nuk është një fenomen i izoluar”. Guterres paralajmëroi kundër “kërcënimit në rritje të një përleshjeje të madhe midis Izraelit dhe Iranit që do ta përmbyste të gjithë rajonin”. Ai përsëriti thirrjen e tij për armëpushim në Liban dhe Gaza.

Izraeli po zhvillon një fushatë masive ajrore në Liban që nga muaji i kaluar kundër, sipas Tel Avivit, objektivave të Hezbollahut në një përshkallëzim të një viti të plotë lufte ndërkufitare midis Izraelit dhe grupit libanez që nga fillimi i ofensivës brutale të Izraelit ndaj Gazës në tetor të vitit të kaluar.

Sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, të paktën 2.574 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 12 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që nga tetori i vitit të kaluar.

Më 1 tetor të këtij viti, Izraeli zgjeroi konfliktin duke nisur sulm tokësor në jug të Libanit.