Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Macron nuk do të japë dorëheqje, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme...

Macron nuk do të japë dorëheqje, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme në Francë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se nuk do të japë dorëheqje “pavarësisht rezultatit” në zgjedhjet e parakohshme që njoftoi se do të mbaheshin mes 30 qershorit dhe 7 korrikut, pasi e djathta ekstreme u rendit e para me një diferencë të madhe në votimin e mbajtur në vend për zgjedhjet e Parlamentit Evropian (PE), transmeton Anadolu.

Në një intervistë për gazetën “Le Figaro”, Macron u përpoq të sqarojë se përse e ndjeu të nevojshëm vendimin për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.

Ai tha se nuk do të pranojë një kërkesë për dorëheqje në rast se partia e ekstremit të djathtë Uniteti Kombëtar (RN) fiton zgjedhjet e përgjithshme. “Nuk është RN ajo që shkruan kushtetutën. Cili do të jetë rezultati institucionet janë të qarta dhe pozicioni i presidentit është gjithashtu i qartë”.

“Politika është një dinamikë dhe nuk u besoj sondazheve. Rezultatet e arritura për çdo zonë zgjedhore, nuk duhet t’i shohim nën dritën e rezultateve të arritura në zgjedhjet e PE-së”, tha Macron.

Lidhur me vendimin për shpërbërjen e Parlamentit, Macron mbrojti idenë se “Ky ishte vendimi i drejtë për të mirën e vendit” dhe shtoi se “Ka menduar vetëm Francën”.

“Shpërbërja është gjesti më i qartë, më radikal dhe më i fortë. Besimi i madh ndaj popullit francez është gjesti i tij”, tha Macron i cili shtoi se vendimin e tij për zgjedhje të përhershme e ka marrë “për të qartësuar situatën”. Ai i bëri thirrje popullit francez që “të mos ketë frikë dhe të shkojë të votojë”.

Në zgjedhjet e mbajtura në Francë për PE-në, partia RN e ekstremit të djathtë u rendit në vendin e parë me një diferencë të madhe me 31.37 për qind të votave ndërsa partia e Macronit, “Renaissance” doli e dyta me 14.60 për qind.

Pas njoftimit të rezultateve të zgjedhjeve të PE-së, Macron shpërbëu Parlamentin dhe njoftoi se ka marrë vendim për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Exit mobile version