Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të dielën se racizmi dhe urrejtja nuk kanë vend në Francë, pas vrasjes brutale me thikë të një besimtari mysliman në një xhami në jug të vendit.
“Racizmi dhe urrejtja mbi baza fetare nuk mund të kenë vend në Francë. Liria e adhurimit është e paprekshme,” shkroi Macron në rrjetin X, duke shprehur mbështetjen e tij për “bashkëqytetarët tanë myslimanë”.
Sulmuesi, që është ende në arrati, e goditi viktimën me dhjetëra herë me thikë dhe më pas e filmoi me telefonin celular, ndërsa bërtiste fyerje kundër Islamit gjatë sulmit të së premtes në fshatin La Grand-Combe, në rajonin e Gardës.
Kryeministri francez, Francois Bayrou, e kishte dënuar më herët ngjarjen, duke e quajtur një “mizori islamofobe”.
Agresori dyshohet se e ka dërguar videon që kishte filmuar te një person tjetër, i cili më pas e shpërndau në rrjetet sociale para se ta fshinte.
Sipas një burimi pranë hetimit, autori i dyshuar është një shtetas francez me origjinë boshnjake, jo mysliman.
Viktima, një i ri nga Mali, në të 20-at, dhe agresori ishin vetëm në xhami në momentin e ngjarjes. Fillimisht ata u lutën bashkë, para se agresori të kryente sulmin brutal, duke e goditur viktimën deri në 50 herë përpara se të arratisej.
Trupi i viktimës u gjet më vonë në mëngjes, kur besimtarët e tjerë mbërritën për faljen e xhumasë.
Në Paris ishte planifikuar të mbahej një protestë kundër islamofobisë të dielën në mbrëmje, në reagim ndaj kësaj ngjarjeje.
Këshilli Francez i Fesë Myslimane (CFCM) shprehu tmerrin ndaj këtij “sulmi terrorist anti-mysliman” dhe u bëri thirrje myslimanëve në Francë të jenë “jashtëzakonisht vigjilentë”.
“Vrasja e një besimtari në një vend adhurimi është një krim i neveritshëm që duhet të tronditë zemrat e të gjithë francezëve,” deklaroi edhe Këshilli Përfaqësues i Institucioneve Hebraike të Francës (CRIF).
Agresori, i identifikuar si Olivier, i lindur në Francë në vitin 2004 dhe i papunë, pa precedentë penalë, konsiderohet “jashtëzakonisht i rrezikshëm” dhe, sipas prokurorit rajonal Abdelkrim Grini, është “thelbësore” që të arrestohet sa më parë për të parandaluar viktima të tjera.
