Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Macron i kërkon falje popullit se nuk paguan borxhin ndaj algjerianëve që...

Macron i kërkon falje popullit se nuk paguan borxhin ndaj algjerianëve që luftuan për Francën

Emmanuel Macron

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka kërkuar falje në emër të popullit të tij për shkak se nuk kanë paguar borxhin e tyre të besnikërisë ndaj algjerianëve (Harki) të cilët luftuan në radhët e Francës kundër popullit të tyre gjatë Luftës së Algjerisë për Pavarësi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Macron, në një pritje të zhvilluar në pallatin Elysee u takua me algjerianët Harki.

Në një konferencë për media pas pritjes, duke u shprehur mirënjohje atyre që kanë luftuar në krah të Francës gjatë Luftës së Algjerisë për Pavarësi, Macron tha: “Kërkoj falje nga luftëtarët që i braktisëm, nga familjet që janë burgosur”.

Macron tha se Franca ka dështuar në shlyerjen e borxhit të besnikërisë ndaj luftëtarëve Harki, bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre pas luftës algjeriane për pavarësi.

“Dinjiteti i luftëtarëve Harki duhet të ngulitet në memorien kombëtare”, theksoi Macron i cili shtoi se brenda këtij viti do të nxjerrin një ligj nëpërmjet të cilit do të sigurojnë njohjen e Harki dhe që atyre t’u jepen të drejtat.

Në Francë që nga vitin 2003 e deri më sot data e 25 shtatorit festohet si dita përkujtimore për Harki-t që luftuan përkrah Francës në luftën algjeriane për pavarësi.

Harki-t, numri i të cilëve arrin në 200 mijë, dhanë mbështetje ndaj ushtrisë së Francës gjatë luftës për pavarësi që Algjeria zhvilloi gjatë viteve 1954-1962.

Nga qindra mijëra Harki që rrezikuan jetët e tyre për Francën, vetëm 42 mijë prej tyre u evakuuan në Francë nga ushtria franceze ndërkohë që rreth 40 mijë Harki të tjerë mbërritën në Francë nëpërmjet rrugëve ilegale.

Ndërsa rreth 100 mijë Harki u braktisën në fatin e tyre në Algjeri.

Ish-presidenti i Francës, François Hollande, më 25 shtator 2016 pranoi përgjegjësinë e qeverive franceze për braktisjen e luftëtarëve Harki, për vrasjen e atyre që mbetën në Algjeri dhe për kushtet çnjerëzore që u detyruan të përjetojnë ata të cilët u evakuuan në kampet në Francë. /aa

Exit mobile version