Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i bëri sot thirrje Ukrainës që të angazhohet në diskutime “realiste” mbi çështjet territoriale, duke theksuar se vetëm ukrainasit mund të udhëheqin negociata të tilla, raporton Anadolu.
Duke folur para ambasadorëve në Pallatin Elysee, Macron theksoi se çdo marrëveshje e paqes duhet të arrihet në konsultim të ngushtë me Ukrainën. “Asnjë zgjidhje nuk duhet t’i imponohet Ukrainës pa ukrainasit”, tha ai.
“Nuk ka zgjidhje të shpejtë dhe të lehtë në Ukrainë”, tha Macron, duke hedhur poshtë nocionet e një zgjidhjeje të shpejtë, pavarësisht komenteve të fundit nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump. Ai i kërkoi SHBA-së të ndihmojë në presionin ndaj Rusisë për t’u kthyer në negociata dhe theksoi përgjegjësinë e Evropës për t’i dhënë Ukrainës garanci sigurie.
“Presidenti i ri e di se SHBA-ja nuk ka asnjë shans për të fituar asgjë nëse Ukraina humbet”, shtoi Macron, duke paralajmëruar se besueshmëria perëndimore do të minohej nga kompromise të rrënjosura në “lodhje” nga konflikti i zgjatur.
– Kritika për miliarderin Elon Musk
Macron kritikoi miliarderin Elon Musk, duke e akuzuar atë për mbështetjen e një “lëvizjeje të re reaksionare ndërkombëtare” dhe ndërhyrje në zgjedhje, përfshirë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Gjermani.
“Dhjetë vjet më parë, kush do të mund ta imagjinonte, po të na kishin thënë se pronari i një prej rrjeteve sociale më të mëdha në botë do të mbështeste një lëvizje të re reaksionare ndërkombëtare dhe do të ndërhynte drejtpërdrejt në zgjedhje, përfshirë Gjermaninë”, tha Macron, duke iu referuar pronësisë së platformës X nga miliarderi Musk.
– Lindja e Mesme
Duke iu referuar Lindjes së Mesme, Macron dënoi krizën humanitare në Gaza dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm. “Nuk ka asnjë justifikim ushtarak për pengimin e qëllimshëm të ndihmës humanitare”, tha ai, duke kërkuar një rezolutë politike të përqendruar në njohjen e një shteti palestinez që ka shanse për të qenë i suksesshëm.
“Evropa duhet të punojë së bashku me partnerë si Arabia Saudite, Jordania, Egjipti dhe Katari për të zbatuar zgjidhjen me dy shtete, duke garantuar sigurinë izraelite dhe aspiratat legjitime të palestinezëve”, shtoi ai.
Macron shprehu shqetësimin për përshpejtimin e programit bërthamor të Iranit, duke bërë thirrje për dialog urgjent me administratën e ardhshme të SHBA-së. “Veprimet e Iranit janë një sfidë e madhe strategjike dhe e sigurisë për Francën dhe Evropën. Duhet të jemi vigjilentë”, paralajmëroi ai.
– Konferenca e ardhshme ndërkombëtare
Macron njoftoi planet që Franca, në partneritet me Arabinë Saudite, të jetë nikoqir i një konference të madhe ndërkombëtare në qershor 2025 në New York. Samiti do të fokusohet në avancimin e sigurisë dhe bashkëpunimit në Lindjen e Mesme, përfshirë diskutimet mbi zgjidhjet afatgjata për stabilitetin rajonal.
Presidenti francez theksoi një vizion të gjerë për angazhimin global mes tensioneve në rritje ndërkombëtare, nga Ukraina në Lindjen e Mesme.