Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Macron: Franca nuk do të tolerojë su’lmet e përsëritura iz’raelite ndaj paqeruajtësve...

Macron: Franca nuk do të tolerojë su’lmet e përsëritura iz’raelite ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Liban

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dënoi sulmet e fundit të Izraelit ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Liban, transmeton Anadolu.

“Është krejtësisht e papranueshme të shohësh që trupat e UNIFIL-it të shënjestrohen qëllimisht nga forcat e ushtrisë izraelite. Ne e dënojmë këtë, nuk e tolerojmë dhe nuk do të tolerojmë që të përsëritet”, tha Macron në një konferencë të përbashkët për media pas një samiti të vendeve anëtare të BE-së që kanë interes për Mesdheun.

Forcat izraelite më herët gjatë ditës bombarduan një post vëzhgimi që i përkiste Forcës së Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL) në selinë e saj në Naqoura, Libani jugor, duke plagosur dy paqeruajtës nga kontingjenti i Sri Lankës, njoftoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit.

Në një sulm të ngjashëm dje, u plagosën dy paqeruajtës të tjerë.

Macron përsëriti thirrjen për një armëpushim në Gaza dhe Liban, të cilin ai e përshkroi si “të domosdoshëm”.

Ai tha gjithashtu se një thirrje për të ndaluar ofrimin e armëve në zonën e konfliktit do të ofronte një mundësi unike për t’i dhënë fund konfliktit, duke shtuar se kjo “nuk është një thirrje për çarmatosjen e Izraelit”, por një thirrje për “ndalimin e të gjithë destabilizimit shtesë në këtë pjesë të botës”.

Dje, Ministria e Punëve të Jashtme të Francës njoftoi se ka thirrur ambasadorin izraelit në Paris lidhur me sulmet ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Liban.

“Këto sulme janë shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar dhe duhet të ndërpriten menjëherë”, thuhet në deklaratën e MPJ-së franceze, ku shtohet: “Autoritetet izraelite duhet të japin sqarime”.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se mbrojtja e paqeruajtësve është një detyrim që vlen për të gjitha palët në një konflikt.

Izraeli ka kryer sulme masive ajrore në gjithë Libanin që nga 23 shtatori kundër atyre që ai pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, duke vrarë të paktën 1.351 njerëz, duke plagosur mbi 3.800 të tjerë dhe duke zhvendosur më shumë se 1,2 milion njerëz.

Fushata ajrore është një përshkallëzim i luftës ndërkufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i ofensivës së Tel Avivit në Rripin e Gazës në tetor të vitit të kaluar, në të cilën Izraeli ka vrarë mbi 42.100 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se Lindja e Mesme është në prag të një lufte rajonale mes sulmeve brutale të Izraelit ndaj Gazës dhe Libanit, ai e zgjeroi konfliktin më 1 tetor duke nisur një inkursion tokësor në Libanin jugor.

Exit mobile version