Macron: Duhet një rend i ri botëror

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se rendi botëror është “i mangët dhe i padrejtë” dhe bëri thirrje se duhet të ndërtohet një rend i ri, transmeton Anadolu.

Sipas lajmeve në shtypin kombëtar, presidenti Macron në një fjalim që mbajti në hapjen e “Takimit për Paqe” të organizuar nga Sant-Egidio, komuniteti katolik në Paris foli për marrëdhëniet me Rusinë, organizimin e Bashkimit Evropian (BE) dhe sistemin ndërkombëtar.

Ai vuri në dukje se pas luftës Rusi-Ukrainë “duhet të rishikohen marrëdhëniet e Francës me Rusinë dhe të mendohet për një organizim të ri evropian”.

Në këtë kontekst, Macron pretendon se duke patur parasysh strukturën e saj gjeografike, duhet të merret parasysh “fakti se Evropa nuk është as plotësisht BE dhe as në mënyrë të vendosur NATO”. Presidenti francez kritikoi sistemin ndërkombëtar.

Macron bëri thirrje për ndërtimin e një rendi të ri botëror, duke tërhequr vëmendjen se sistemi ndërkombëtar është “i mangët dhe i padrejtë” me arsyetimin se shumë vende me popullsi të madhe nuk kanë të drejtën e përfaqësimit të mjaftueshëm.

Ai theksoi se ekziston nevoja për “një rend në të cilin ky apo ai (vend) nuk mund të bllokojë të tjerët, në të cilin vendet të përfaqësohen siç duhet dhe ta bëjnë këtë me institucione që janë shumë më të drejta, qofshin ato Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar”.