Presidenti francez, Emmanuel Macron, vlerësoi se janë të papranueshme akuzat e presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, se Franca mbështet terrorizmin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Macron në konferencën e përbashkët për media me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Paris deklaroi se në Siri është e domosdoshme arritja e paqes së përhershme dhe zgjidhjes politike.
“Prioriteti ynë është lufta kundër DEASH-it. Që nga fillimi kemi qenë koherent”, deklaroi presidenti francez. Macron theksoi se koalicioni ndërkombëtar i kryesuar nga SHBA-të është i vetmi që mund të mposht DEASH-in në Siri deri në fund të shkurtit të vitit 2018.
“Ne kemi armik e ai është DEASH-i…..Miliona sirianë jetojnë jashtë vendit të tyre: në Jordani, Liban, Turqi, në mbarë Evropën, në Kanada dhe SHBA. Këta sirianë kanë një armik që ka emrin Bashar al-Asad”, deklaroi Macron.
Presidenti sirian dje pas takimit me delegacionin rus në Damask deklaroi se “Franca është bartëse e mbështetjes së terrorizmit në Siri që nga dita e parë e konfliktit”.
Këtë deklaratë e dënoi edhe ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian, i cili pas takimit të djeshëm me zyrtarët e lartë të SHBA-ve në Washington deklaroi se vendi i tij nuk do të marrë leksione nga dikush që “nga burgu ka liruar mijëra ekstremistë për të nxitur luftën”.