LVV: Koha e zgjedhjeve po afron, do të rikthehemi fuqishëm

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka vizituar sot Drenasin, Dardanën e Gjilanin, ku takoi aktivistët nëpër tenda dhe qytetarët nënshkrues të peticionit për zgjedhje.

“Në Drenas, por pastaj edhe në Dardanë e Gjilan, entuziazmi për zgjedhje të reja është i lartë në këto ditë të nxehta qershori dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e numrit të nënshkrimeve në peticion. Nëpër takimet tona, e sidomos në këto tri të fundit me qytetarë, hetohet dëshira e nevoja për një qeveri të mirë, e jo një qeveri koti. Për një qeverisje që jep ndjenjën e sigurisë dhe zhvillimit, e jo të shantazhit, e të presidentit”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

LVV thekson se koha e zgjedhjeve po afron e puna jonë do të shtohet në ditët e radhës.

“Rikthimi ynë do të jetë edhe më i fuqishëm, sepse nuk do të jetë vetëm rikthim i yni, por edhe i vetë popullit në qeverisje”, thuhet në njoftim.