Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka njoftuar se ka dorëzuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikim të Listës Serbe.
“Ditë më parë KQZ-ja në mënyrë të paprecedent dhe në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e lejoi Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje. Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka dorëzuar përmes postës ankesë në PZAP kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe në emër të KQZ-së, me kërkesën për anulimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e LVV-së.
Tutje thuhet se nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe.
“Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, thuhet në njoftim.
Lista Serbe është certifikuar nga KQZ-ja për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, në mbledhjen e mbajtur të martën.
Në këtë mbledhje kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka theksuar se vendimi i PZAP-së obligon Komisionin për certifikimin e Listës Serbe dhe ka konsideruar që nuk ka nevojë për votim.
Sipas LVV-së Lista Serbe “ka qenë dhe mbetet partia e kryeterroristit Radojçiq”.
“Ajo dikur përdorej nga Radojçiqi kundër shtetit të Kosovës, kurse tani po shërben si struktura që mbron dhe amniston terrorizmin. Institucionet e pavarura të Republikës, siç është KQZ jo vetëm që duhet të mbrojnë vlerat si rendi ligjor e kushtetues, por së paku duhet të ruajnë integritetin e tyre institucional. Nuk mund të lejohet që për t’i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për Zgjedhje dhe çdo praktikë e rregullt”, thuhet në njoftim.
LVV-ja ka theksuar se përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim, sipas tyre, të paligjshëm, dhe të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe.