Lutuni dhe punoni

Besimi në vullnetin e Zotit e përcakton dhe e formëson pikëpamjen dhe botëkuptimin tonë ndaj ekzistencës, e i cili ndërtohet, pos tjerash, mbi katër këndvështrime:

1. Vullneti i Zotit: „Bëhu“!
„Vërtet, urdhëri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t‘i thotë asaj „Bëhu“! – dhe ajo bëhet.“
Kuran, Jasin, 82
2. Vullneti i Zotit në Univers
Ligjet e universit, ligjet që udhëheqin natyrën, botën materiale, rendin e universit, përbërjen e tij, lëvizjen dhe proceset e tij.
„Ti nuk mund të gjesh ndryshim në ligjet e Allahut”.
Fatir,43
3. Vullneti i Zotit për ta sjellur njeriun në Tokë
„Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të ndërtojë jetën me mësimet e Zotit) në tokë”.
Kuran,Bekare,30
Njeriu është qenie fizike dhe intelektuale, humane, sociale, morale, artistike, e lirë, etj.. Parimi i mëkëmbësisë e vendos njeriun në pozicionin e krijesës më të fortë në gjithësi, si një përfaqësues i Krijuesit të tij, në menaxhimin e punëve të tokës, në mënyrë që të kujdeset për mirësitë e veta dhe të krijojë rrethana në favorin e tij.
4. Vullneti i Zotit për shpallje(fe)
„Ai të ka shpallur ty Librin, me të vërtetën e saktë, duke vërtetuar shpalljet e mëparshme. Ai ka zbritur Teuratin dhe Ungjillin.“
Ali Imran 3-4
——————————————————
Për të pasur besim të drejtë dhe për qenë fetarë të njëmendtë, duhet të respektohet vullneti i Zotit dhe mbi këtë bazë duhet të ndërtojmë edhe besimin tonë. Le të bëhemi për një çast të vëmendshëm dhe të ndërgjegjshëm dhe le ta vlerësojmë gjendjen dhe pozitën në të cilën ndodhemi; sa jemi në përputhje me vullnetin e Zotit në kozmos dhe me vullnetin e Tij për ta krijuar njeriun?! Druhem se ne jemi të fundit që sot marrim vesh diçka nga universi, ligjet e tij, përfitimet nga ai, hulumtimet në të dhe mosballafaqimin me të.
Me të drejt shtrohet pyetja se kush janë mëkëmbësit e Zoti në Tokë, kush po e ndërton jetën sot dhe mbi çfarë principesh; sa po respektohet dhe çmohet njeriu, si qenie absolutisht e lirë, që duhet t‘i garantohet liri, drejtësi dhe dinjitet, për asgjë tjetër vetëm sepse është njeri!
Droja shtohet kur vërehet se NUK i kemi punët mirë, prandaj duhet ta përmirësojmë rrënjësisht dhe ta begatojmë mbarësisht pikëpamjen për fetarinë tonë!
Nuk është fetari e mirëfilltë dhe e njëmendtë respektimi vetëm i vullnetit të fundit (4).

Halil Avdulli