Lutfi Haziri njofton se Zhegra hiqet nga karantina

Nën udhëheqjen e kryetarit Lutfi Haziri, është mbledhur sot në Gjilan Komiteti për menaxhimin e situatës emergjente, ku ka vlerësuar gjendjen pas rasteve të koronavirusit Covid19, mirëpo lajmi i mirë mbrëmë i ardhur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është rezultati negativ për 33 mostrat e testuara.

“Është lajm shumë i mirë që rezultatet e kumtuara mbrëmë janë shpresë e fuqishme në përmirësimin e gjendjes. Rastet e Gjilanit kanë dalë negative dhe Komuna e Gjilanit ka vendosur për largimin e gjendjes së vetkarantimit për Zhegrën dhe fshatrat e Grykës së Karadakut, por vetpërmbajtja duhet të vazhdojë gjatë ditës, meqë është bërë masa e lirisë së lëvizjes nga ora 06:00 në mëngjes deri në orën 17:00 në mbrëmje. Pra, qytetarët kanë të drejtë të dalin për furnizime dhe shkaqe të domosdoshme, mirëpo kjo nuk nënkupton dalje masive nga shtëpitë. Duhet të vazhdojmë edhe më tutje në luftën kundër kësaj pandemie deri në lehtësimin e gjendjes”, ka thënë kryetari Haziri, në konferencën me gazetarë.

Haziri ka kërkuar nga qytetarët që t’i respektojnë strikt rekomandimet e institucioneve të shtetit, ato të shëndetësisë dhe të sigurisë sepse edhe ditët e rënda i kalojmë më lehtë së bashku.