Ballina Lajmet Kosovë Lunaçek: Demarkacioni të ratifikohet patjetër

Lunaçek: Demarkacioni të ratifikohet patjetër

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Ulrike Lunaçek ritheksoi rëndësinë e ratifikimi të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Komisioni Evropian sot prezantoi raportin për shtetet në zgjerim të BE-së. Duke komentuar raportin për Kosovën, Lunacek tha se çelësi për liberalizim të vizave ka mbetur në duart e politikanëve të Kosovës.

“Drita e gjelbër nga Komisioni për liberalizim të vizave sapo të përmbushen dy kërkesat e mbetura, ishte lajm shumë i mirë. Tash topi është në duart e Parlamentit të Kosovës dhe Qeverisë. Kjo do të thotë që politikanët e Kosovës mbajnë çelësin për liberalizim të vizave në duart e tyre: Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit është diçka që duhet të kryhet patjetër”, tha Lunaçek.

Ajo gjithashtu ka shprehur mbështetjen e saj në rrugën e Kosovës për liberalizim që sipas saj duhet të ndodhë shumë shpejt.

“Unë jam e bindur se qytetarët e Kosovës meritojnë heqjen e vizave për udhëtimet tre mujore në shtetet e BE-së, sa më shpejt që është e mundur. Mungesa e perspektivës për të shijuar udhëtimin e lirë si gjithkund tjetër në rajon është një situatë e papranueshme që duhet të përfundojë”, deklaroi Lunaçek.

Dy kërkesat që Komisioni Evropian i kishte paraparë për liberalizim të vizave janë Demarkacioni i Kufirit me Malin e Zi dhe progres më i madh në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Exit mobile version