Lumi mbetet

Edison ÇERAJ, Tiranë

Me siguri ka diçka që nuk shkon kur nji grup apo bashkësi e caktuar kalojnë të gjithë njiherësh prej nji besimi, feje, jetëkuptimi apo ideologjie në nji tjetër. Zakonisht kjo ndodh ose për shkak të nji interesi të caktuar ose prej frikës, sepse është largmendsh që, qoftë edhe dy veta, të binden njiherësh për me pranu a ndërru nji jetëkuptim të caktuar.

Edison ÇERAJ, Tiranë

1

E papritura dhe çuditë janë pjesë e natyrës njerëzore. Çdo përpjekje për me ba thjeshtime apo reduktime në këtë drejtim është nji qasje varfëruese, që shkon deri në përçudnim, siç ka ndodhë e ndodh me diktaturat, që detyrojnë nji mënyrë të “përsosur” jetese. Nëse në qenien dhe jetën tonë nuk ka kontradikta, madje të forta, atëherë është koha me u marrë seriozisht me veten. Por, kjo nuk nënkupton justifikim ose përligjje të çdo çudie të natyrës sonë, sepse ndonjiherë njeriu duhet mbrojtë edhe nga vetvetja, përveçse duhet ndalu nga dami që mundet me i shkaktu të tjerëve. Ja pse lindi nevoja për rend, për shtetin, që me të drejtë u quajt “një e keqe e nevojshme”, pikërisht që çuditë e natyrës sonë të mos na çojnë në padrejtësi dhe abuzim.

2

Me siguri ka diçka që nuk shkon kur nji grup apo bashkësi e caktuar kalojnë të gjithë njiherësh prej nji besimi, feje, jetëkuptimi apo ideologjie në nji tjetër.

Zakonisht kjo ndodh ose për shkak të nji interesi të caktuar ose prej frikës, sepse është largmendsh që, qoftë edhe dy veta, të binden njiherësh për me pranu a ndërru nji jetëkuptim të caktuar.

Pranimi apo refuzimi i nji jetëkuptimi është çështje vetjake, tek e cila mbërrijmë si rrjedhojë e kërkimit dhe e bindjes së brendshme, qoftë kjo edhe brenda nji nate, dhe, së këndejmi, edhe vullneti për me e pranu apo refuzu atë jetëkuptim.

Nga kohët hershme janë shënu jo pak raste kur familje, fise apo edhe shoqëri të caktuara kalonin prej nji besimi/feje në nji tjetër, ose të paktën kështu deklarohej.

Arsyeja kryesore për këtë ishte se secili e shihte veten si pjesë të nji tërësie të shenjtë që e tejkalonte atë dhe jo si individ i shkëputur apo i mëvetësishëm në kuptimin e sotëm. Zgjedhjen e bante kryetari apo paria, që besohej e nderohej si autoritet i shenjtë dhe të gjithë bindeshin pa “pse”.

Kjo nuk është krejtësisht e gabuar, ka të vërtetën e vet, por jo deri në bindje të verbër apo pa kushte, jo kur cenohet parakushti i çdo gjaje: liria, vullneti.

“Diktatura është e pamoralshme edhe nëse e ndalon mëkatin; ndërsa demokracia është e moralshme edhe nëse e lejon atë. Morali dhe liria janë të pandashëm. Vetëm një veprim i lirë mund të quhet veprim i moralshëm.” (Izetbegoviq)

3

Thuhet se uji ikën, por lumi mbetet.

Kështu ndodh edhe me interesat e ndryshme që mund të na shtyjnë me pranu nji jetëkuptim të caktuar: nji ditë të gjitha zbehen ose harrohen dhe mbetet vetja mes katër rrugëve, ngarkuar me peshën e nji zbrazëtie që të shtrëngon në fyt, si nji hakmarrje e pashmangshme ndaj tradhtisë së dikurshme.

Çdo gja që arrijmë të kemi resht së qeni ajo që ishte kur nuk e kishim; pothuajse shndërrohet në nji akt tradhtie ndaj nesh ose në nji përqeshje të kithët, duke na thanë: “Po pastaj?”

Çështja është të arrijmë atë gjendje ku mungesa dhe prania nuk kanë ma dallim ose ku mungesa është prani dhe prania nji mungesë që të bind me qëndru në pritje, që të bind se pritja ia vlen. Nuk bahet fjalë për pritjen si dorëzim apo gaflet, por për atë pritje që është kambëngulje e shpresë njiherësh, shoqëruar me vetëdijen se çdo gja vjen në kohën e duhur, e jo kur duam ne, sepse shpeshherë ne nuk e dimë çfarë duam, siç nuk e dimë me siguri se ajo që duam është në të mirën tonë apo jo.

“Ajo që e bën angazhimin dhe luftën tonë njerëzore e të arsyeshme, ajo që i jep vulën e maturisë e të qetësisë është bindja se rezultati përfundimtar i çdo gjëje nuk është ne duart tona. Detyra jonë është të përpiqemi; rezultati është në dorë të Zotit.Të kuptosh mirëfilli jetën tënde në këtë tokë do të thotë të bësh përpjekjet e tua pa patur ambicien për të arritur dhe pushtuar gjithçka, si dhe të jesh i gatshëm të pranosh fatin apo atë që quhet vullneti i Zotit…” (Izetbegoviq)

Nëse do të kishte nji përkufizim për natyrën njerëzore, ai do të ishte “përpjekje”. /revistashenja