Lumezi: Po hetojmë të gjithë të përmendurit në rastin “Pronto”

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se prokuroria do të hetojë rastin në aferën “Pronto” dhe sapo të ketë prova të mjaftueshme do të fillojë me ngritjen e aktakuzave të para.

“Sa i përket rastit ‘Pronto’ kemi treguar se kemi vullnet t’i zbardhim të gjitha rastet që janë kontestuese. Në bazë të informacioneve ne kemi pasur guximin që të fillojmë hetimet dhe shumë persona që kanë qenë të përfshirë në rastin Pronto janë në fazën e hetimeve dhe sapo t’i mbledhim provat do të shohim a ka prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuza për personat e përfshirë në këtë aferë”, ka thënë Lumezi.

Këto komente kryeprokurori i shtetit i bëri në një konferencë për media ku ka prezantuar raportin e punës për vitin 2016, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se humbja e besimit në sistem të drejtësisë është bërë për shkak të mos efikasitetit në luftim të korrupsionit, por shtoi se prokuroria do t’i hetojë të gjitha rastet që raportohen.

Megjithatë ka thënë se secili prokuror e ka kryer punën e tij në mënyrë efikase

“Prokurorët kanë zgjedhur mbi 63 mijë lëndë gjatë vitit 2016”, ka thënë ai.

Ai duke folur për këtë ka thënë se vlerëson punën e prokurorëve por këtë vit pret edhe më shumë punë.

“Para organit te akuzës mbesin shumë lëndë të pazgjidhura. Prokuroria është anëtarësuar në Asociacionin Ndërkombëtar me seli në Holandë. Gjatë vitit të kaluar në bashkëpunim me Policinë kemi arritur që ti largojmë pronarët e pronave të uzurpuara. Ky aksion ka bërë që të lirohen shumë lokale”, ka thënë ai.

“Gjatë vitit 2016 kemi zgjedh mbi 468 kallëzime penale”, tha ai.

Vitin 2016 Lumezi e ka vlerësuar si vitin më të mirë deri më tani.

Prokuroria e shtetit sipas tij ka arritur sukses edhe në fushën e sekuestrimit për vepra penale.

E duke folur për sfidat ka thënë se Prokuroria është përballur me lëndë të trashëguara, mosbuxhet të mjaftueshëm e gjëra të tjera.