Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, priti sot në një takim pune drejtorin e ri të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ku u bisedua për sfidat, që paraqiten në fushën e luftimit dhe parandalimit të korrupsionit.
Fillimisht në këtë takim kryeprokurori Lumezi, duke vlerësuar lartë angazhimin dhe kontributin dhjetëvjeçar të dhënë nga ish drejtori i kësaj Agjencie, Hasan Preteni, e uroi për detyrën e pranuar drejtorin e ri të kësaj Agjencie, Shaip Havolli, duke i ofruar mbështetje të plotë nga ana e tij në luftën kundër korrupsionit, që është prioritet i Prokurorit të Shtetit dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi e njoftoi drejtorin Havolli se prokuroria është duke i trajtuar me prioritet lëndët që ndërlidhen me korrupsionin, sidomos ato të nivelit të lartë dhe gjithmonë iu epet prioritet lëndëve që vijnë nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Kryeprokurori Lumezi poashtu kërkoi nga drejtori Havolli që të fokusohet më shumë në parandalimin e korrupsionit në fushën e prokurimit publik.
Të dyja palët u pajtuan që të angazhohen në intensifikimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, në funksion të luftës kundër korrupsionit dhe parandalimit të tij, si dhe fuqizimit të sundimit të ligjit në vendin tonë.