Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka mbajtur sot një takim me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, si dhe me prokurorët e Departamentit të Krimeve të Rënda të kësaj prokurorie, me të cilët kanë diskutuar lidhur me vështirësitë dhe sfidat me të cilat ballafaqohen prokurorët në punën e tyre.
Po ashtu, gjatë këtij takimi me theks të veçantë është diskutuar për mënyrën e ndarjes së lëndëve për prokurorët.
Kryeprokurori Lumezi, theksoi se lëndët duhet të ndahen në bazë të Rregullores së nxjerrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, e cila e përcakton mënyrën për ndarjen e lëndëve për prokurorët, si dhe këto rregulla duhet të zbatohen nga të gjithë.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga të gjithë prokurorët që të angazhohen më shumë për rritjen e efikasitetit të tyre në luftën kundër korrupsionit.
Gjithashtu, Lumezi ka kërkuar nga të gjithë prokurorët që seancat gjyqësore të përfaqësohen prej tyre në mënyrë të denjë, si dhe aktakuzat e ngritura nga ta të mbrohen me vendosmëri të madhe.