Rreth 50 persona, mes tyre edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kanë përfunduar në orët e para të mëngjesit në spital.
Policia e Tiranës njofton se të gjithë kanë qenë me simptoma të ngjashme, kryesisht djegie në sy dhe skuqje lëkure në pjesët e sipërme të trupit. Policia thotë se, pas verifikimeve paraprake, rezulton se të gjithë kanë qenë pjesëmarrës në aktivitetin e zhvilluar nga Partia Demokratike, dje në mbrëmje, në orën 19:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për hapjen e fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit.
Policia njofton se pasi janë mjekuar, të gjithë shtetasit janë larguar për në banesë, ndërsa vetëm 3 prej tyre, të cilët kanë patur më tepër shqetësime, po mbahen nën kujdesin e mjekëve në spital.
QSUT pritet që të ketë një komunikim për mediat në orët në vijim, ndërsa vendi i mitingut të djeshëm të Partisë Demokratike është rrethuar me shirit. Policia thotë se në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës është ngritur grupi hetimor me ekspertë nga Policia e Shtetit, Garda e Republikës dhe struktura të specializuara të Forcave të Armatosura. Po ashtu, policia thotë se po kryhen gjithë ekzaminimet e nevojshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të përcaktuar shkakun që provokoi simptomat si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të niste sot turin e takimeve nëpër Shqipëri. Selia Blu njoftoi oraret për takimet në Lushnje dhe Divjakë, por më pas, në një njoftim të dytë u tha se takimet do të zhvillohen, por pa pjesëmarrjen e kryetarit Basha.