Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko theksoi se Perëndimi para se të zbatojë sanksione ndaj Bjellorusisë duhet të “mendojë” për furnizimin e gazit natyror që shkon në Evropë përmes vendit të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne ngrohim Evropën, ata ende na kërcënojnë se do të mbyllin kufijtë. Çfarë ndodh sikur të ndërpresim gazin natyror?”, tha Lukashenko në takimin e kabinetit në kryeqytetin Minsk duke vlerësuar krizën e emigrantëve në kufirin e Bjellorusisë me Poloninë.
Duke shpjeguar se janë bërë përpjekje për t‘u dërguar armë emigrantëve në kufirin polak nga rajoni Donbas në lindje të Ukrainës, Lukashenko tha: “Për çfarë do të shërbejnë armët? Po përpiqen të krijojnë një provokim. Duan të vendosin përballë njëra-tjetrës ushtritë tona dhe ushtarët tanë. Për këtë arsye duke siguruar kontrollin përreth kufirit tonë, duhet të parandalojmë sigurimin e armëve ndaj emigrantëve”.
Lukashenko vuri në dukje se aktivitetet e ushtrisë së NATO-s dhe Polonisë në kufirin me Bjellorusinë duhet të ndiqen me kujdes.
“Me arrogancë dhe pa paralajmëruar askënd kanë tërhequr deri në kufirin tonë 15 mijë ushtarë, tanke, mjete të blinduara, helikopterë dhe avionë. Duhet t’i shikojmë këto dhe të bëjmë një kundërplan” tha Lukashenko.
Në fjalën e tij, Lukashenko përmendi edhe përgatitjen e Bashkimit Evropian për sanksione ndaj Bjellorusisë.
“Çfarë ndodh sikur edhe ne të mbyllim kalimet (e transportit) mbi Bjellorusi? Mbi Ukrainën nuk kalohet sepse kufiri me Rusinë është i mbyllur. Edhe rrugët që kalojnë mbi vendet baltike nuk janë. Edhe linja e tubacionit të gazit natyror Yamal-Evropë kalon mbi Bjellorusi dhe sasia e gazit rus që shkon në Perëndim nëpërmjet kësaj rruge është rritur ndjeshëm. Ne ngrohim Evropën, ata ende na kërcënojnë se do të mbyllin kufijtë. Po mirë, çfarë ndodh sikur të ndërpresim gazin natyror?”, shtoi ai.
Lukashenko deklaroi se autoritetet bjelloruse duhet të ndihmojë emigrantët në kufi, kryesisht gratë dhe fëmijët. /aa