Luis Suarez dëshiron të mbetet te Barcelona: Jam i gatshëm edhe si rezervë

Golashenuesi uruguajan Luis Suarez dëshrion që me çdo çmim të qëndrojë në skuadrën e Barcelonës dhe thotë se nuk do ta ketë problem edhe nëse mbetet në përbërjen rezerve të gjigantit katalonas, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtuesit e Barcelonës paralajmëruan ndryshime serioze në ekip pas sezonit ku nuk fituan as titullin e La Ligës dhe as nuk mbërritën në përfundimin e Ligës së Kampionëve, kurse mediat spanjolle shkruajnë se 33-vjeçari Suarez mund të jetë në mesin e të parëve që do të largohet nga Camp Nou.

Ai për mediat lokale tha se çdo ekip ka nevojë për konkurrencë të fortë.

“Në këtë fazë të karrierës, jam i gatshëm ta pranoj edhe atë, të mbetem rezervë, nëse kështu vendos trajneri i ri Ronald Koeman. Mendoj se kam akoma për të ofruar”, ka thënë Suarez.

Duke komentuar njoftimet e mundshme për largimin e tij nga Barcelona, Suarez tha se askush nga drejtuesit e klubit nuk ka folur me të rreth kësaj dhe se ai gjithsesi dëshiron të mbesë në Camp Nou.

Suarez në Barcelonë erdhi nga Livepool-i gjashtë vite më parë, kurse me 198 gola, u bë golashenuesi i tretë më i mirë në historinë e klubit.

Barcelona është tronditur nga një krizë pas mosarritjes së titullit të La Ligës dhe disfatës së thellë të fundit që pësoi në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich.

Eksperti holandez, Ronald Koeman, u emërua kohët e fundit si shef i ri i stafit teknik të Barcelonës. Ish-ylli i Barcelonës ka lënë pozicionin e përzgjedhësit të ekipit të përfaqësueses holandeze të futbollit për të nënshkruar një kontratë dyvjeçare me Barcelonën.