“Lufta” për koalicione

Ramiz Lladrovci i PDK-së dhe Isa Xhemajlaj i “Nismës për Kosovën” do të ballafaqohen më 18 dhjetor në garën e balotazhit për kryetar të Drenasit.

Mirëpo, të dy kandidatët ende nuk kanë menduar nëse do të lidhin koalicion me ndonjërën nga partitë që fituan më pak vota. Përfaqësues të partisë më të madhe në vend (PDK) thonë se në balotazh duhet shkuar si të vetëm, pa marrëveshje me kandidatët e tjerë, shkruan sot, gazeta “Zeri”.

Muja: PDK-ja të hyjë pa koalicion në balotazh

“Koalicion PDK-ja ka me qytetarët e jo me individët edhe me grupet të cilat nuk përputhen as në qëndrimet e asnjërës parti atje, nuk i janë përputhur kur thirren për balotazh. Propozimi im është që PDK-ja të shkojë pa asnjë koalicion sepse nuk ka nevojë, pasi nuk janë koalicionet e vlefshme atje”, ka thënë për “Zërin” deputeti i PDK-së, Shaip Muja, i cili vjen nga komuna e Drenasit, porse, sipas tij, vendimin përfundimtar e merr Kryesia e PDK-së.

Deputeti Muja ka folur edhe për shkaktarët që çuan PDK-në në balotazh në këtë komunë, të cilën tradicionalisht e kanë fituar qysh në rundin e parë.

“Unë mendoj që qytetarët janë spekuluar nga dy grupe, nga kandidati i pavarur, i cili ka spekuluar veten se është i PDK-së e ai s’ka qenë i PDK-së, ai ka qenë i ‘Nismës’ dhe ka kaluar në PDK me 150 vota, ka krijuar një identitet me PDK-në. Po ashtu kandidati i ‘Nismës’ është thirrur që unë jam me PDK-në, por ju votoni për mua se mund të jem më i përkushtuar”, ka theksuar ai, duke shtuar se kjo ka bërë që elektorati të hutohet. Por shpreson se elektorati do të ketë mundësi të reflektojë dhe në asnjë rrethanë nuk do të paraqet shkurorëzim nga PDK-ja.