Lufta në Ukrainë i çoi drejt rekordit eksportet gjermane të armëve në vitin 2024

Eksportet gjermane të armëve arritën një rekord të lartë në vitin 2024, veçanërisht për shkak të luftës në Ukrainë, treguan shifrat zyrtare, transmeton Anadolu.

Qeveria gjermane miratoi eksportet e armëve të luftës dhe pajisjeve ushtarake me vlerë 13,33 miliardë euro, nga të cilat 8,15 miliardë euro shkuan në Ukrainë, e cila është në luftë me Rusinë që nga viti 2022, tha Ministria e Ekonomisë në përgjigje të një pyetjeje nga Sevim Dagdelen, ligjvënëse e partisë së majtë-populiste BSW.

Gjermania është furnizuesi i dytë më i madh i Ukrainës me armë pas SHBA-së.

Përveç Ukrainës, Singapori ka marrë armë me vlerë 1,21 miliard euro, Algjeria 558,7 milionë euro dhe SHBA-ja 319,9 milionë euro.

Gjermania gjithashtu dha dritën jeshile për eksportet e armëve drejt Izraelit me vlerë më shumë se 160 milionë euro gjatë vitit, pavarësisht nga kritikat në rritje ndërkombëtare për ato që grupet e të drejtave të njeriut i etiketojnë si veprime gjenocidale në Rripin e Gazës.