Në mungesë të dialogut pushtetarët dhe opozitarët janë duke zhvilluar “luftë nga distanca” për demarkacionin me Malin e Zi. Pushteti dhe opozita po i shfrytëzojnë mediet dhe rrjetet sociale për të bërë thirrje për votim, respektivisht mosvotim të Demarkacionit.
Polemikat për dhe kundër Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi ndërmjet pushtetit dhe opozitës po zhvillohen përmes prononcimeve në medie apo në rrjetet sociale.
Krerët institucionalë thonë se ratifikimi i Demarkacionit ia hap Kosovës rrugën e integrimeve euroatlantike. Ata gjithashtu nuk e fshehin frikën për përshkallëzim të situatës politike.
Ndërsa opozitarët thonë se koalicioni qeverisës është në panik dhe se po u bën presion deputetëve për ta votuar Demarkacionin.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi paraqet një obligim shtetëror për deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është në interesin e shtetit dhe perspektivës euroatlantike të Kosovës.
“Nuk ka shpëtim, Demarkacioni do të kalojë.Është marrëveshje e saktë, marrëveshje e drejtë dhe në interesin e dyanshëm. Po ashtu është në interesin e konsolidimit të shtetit tonë, është edhe në interes të frymës dhe të agjendës euroatlantike për domosdoshmërinë edhe të liberalizimit të vizave, edhe të themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka thënë Thaçi.