Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Lufta me kohën për t’i shpëtuar të mbijetuarit e tërmetit

Lufta me kohën për t’i shpëtuar të mbijetuarit e tërmetit

Familjet e personave të ngujuar nën rrënojat e objekteve të shembura nga tërmeti i fuqishëm në Turqi dhe Siri ende shpresojnë se do t’i gjejnë të gjallë më të dashurit e tyre.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë dëshpërimisht për të mbijetuarit nën rrënojat e ndërtesave pas dy tërmeteve të mëdha të hënën, që deri në orët e vona të së martës morën jetën e më shumë se 7200 personave, por ka paralajmërime se numri i të vdekurve mund të rritet vazhdimisht.

Një punonjës shpëtimi i tha BBC-së se ai duhet të “përqendrohet te të gjallët”, ndërsa përpjekjet për të gjetur të mbijetuarit po zhvillohen në natën e dytë të ftohtë të dimrit.

Familjet në ankth

Familjarët e viktimave që jetonin në ndërtesat e shembura janë bashkuar me përpjekjet e furishme të shpëtimit duke përdorur kazma e duke gërmuar edhe me duar.

Disa familje të shqetësuara kanë thënë se shërbimeve të shpëtimit iu desh shumë kohë për t’u përgjigjur në disa zona.

Tërmeti i parë me magnitudë 7.8 goditi afër Gaziantepit në orët e para të së hënës, i ndjekur nga një lëkundje me magnitudë 7.5 orë më vonë.

Një vajzë e porsalindur u gjet e ngujuar nën rrënoja me kordonin e kërthizës ende të lidhur me nënën e saj, Afraa Abu Hadiya, e cila u gjet e vdekur. Foshnja ishte i vetmi anëtar i familjes që mbijetoi shembjen e objektit

Në Malatya, ekipet e kërkim-shpëtimit ia dolën ta nxirrnin të gjallë një burrë nga rrënojat. Temperaturat e ulëta dhe pasgoditjet po sfidojnë përpjekjet e ekipeve në terren. Janë rreth gjashtë mijë objekte që janë shembur nga tërmeti në Turqi.

Në Siri, mbrojtja civile ka gërmuar në rrënoja. Në pamje të mediave ndërkombëtare, Helmetat e Bardha shihen derisa shpëtojnë një fëmijë në gërmadhat e një ndërtese në Jinderis, qytet nën kontroll të kryengritësve të opozitës.

Pjesëtarët e kërkim-shpëtimit mund të dëgjohen duke i thënë fëmijës “fol me babanë, fol me babanë”, derisa e nxjerrin vajzën nga rrënojat.

Autoritetet druajnë se numri i viktimave do të rritet për shkak se të mbijetuarit janë ngujuar në rrënoja metalike e betoni në mbarë rajonin, edhe ashtu të goditur nga tmerri i luftës civile që shpërtheu para dymbëdhjetë vjetësh.

Helmetat e Bardha thonë se janë qindra familje ende të ngujuara nën gërmadha.

Siria veriperëndimore, nën kontroll të opozitës, është mbingarkuar me katër milionë refugjatë të pjesëve të tjera të vendit. /koha

Exit mobile version