Armët e Luftës së I Botërore, makinerisë vdekjeprurëse të shekullit 20-të, heshtën si pasojë e armëpushimit në Compiegne pranë Parisit më 11 nëntor 1918. Katër perandori u shkatërruan dhe harta e Europës ndryshoi, shkruan DW.
11 milionë të vdekur, 20 milionë të plagosur, të gjymtuar, të verbuar. Në çdo ditë lufte vriteshin mesatarisht nga 6000 ushtarë. Europa u shkatërrua. Ngado sundonte depresion, uri, varfëri.
Luftimet morën fund si pasojë e armëpushimit në Compiegne pranë Parisit më 11 nëntor 1918. Pas 1500 ditë lufte, Gjermania dhe aleatët e saj kapitulluan. Katër fuqi të mëdha u prishën. Ato u thyen, u shpërbënë në kombe më të vogla ose u zhdukën tërësisht nga harta. Perandoria Gjermane, Austro-Hungaria, Perandoria Osmane dhe Perandoria Ruse.
Fituesit e Luftës së Parë Botërore, Franca, Britania e Madhe dhe SHBA rivizatojnë hartat e Europës dhe Lindjes së Mesme.
Gjermania merr dënimin më të rëndë. Fuqitë fituese e bëjnë atë fajtore për fillimin e Luftës. Gjermanët duhet të paguajnë dëmshpërblime, për të gjitha dëmet e luftës. Si edhe për rindërtimin e qyteteve franceze.
Veç kësaj, Gjermania duhet të dorëzojë disa territore, dhjetë për qind të sipërfaqes së saj. (Gjermanët ndiehen të prerë në besë. Ata kishin shpresuar diçka tjetër nga armëpushimi.)
Në tryezë është edhe SHBA-ja. Ajo hynte te fituesit e Luftës. Presidenti amerikan Wilson dëshiron një rend të ri botëror dhe kërkon themelimin e Lidhjes së Kombeve paraardhësja e OKB-së së sotme. Por pastaj, SHBA-ja sërish nis të izolohet. Askush nuk mund të bëhet më garant për paqen në Europë.
Lufta e Parë Botërore – Ajo mbahej si lufta që do t’i jepte fund të gjitha luftërave. Por kjo nuk ndodhi. Shumë shtete e popuj ishin të pakënaqur me pasojat e Luftës. Në Gjermani erdhi në fuqi Adolf Hitler: Ky diktator kishte një synim të qartë: shmangien e pasojave të armëpushimit të vitit 1918 – me një luftë të re.