Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Londinezët protestojnë kundër gjenocidit të Izraelit në Gaza, kërkojnë pezullimin e shitjes...

Londinezët protestojnë kundër gjenocidit të Izraelit në Gaza, kërkojnë pezullimin e shitjes së armëve

Aktivistët pro-palestinezë kanë marshuar në qendrën e Londrës kundër gjenocidit të Izraelit në Rripin e Gazës, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe për t’i dhënë fund shitjes së armëve në Izrael, raporton Anadolu.

Duke mbajtur flamurë palestinezë, një grup njerëzish marshuan drejt kryqëzimit ‘Piccadilly’ për të shprehur revoltën ndaj sulmeve izraelite ndaj Gazës të cilat që nga 7 tetori i vitit 2023 kanë vrarë të paktën 45 mijë palestinezë.

Ata mbanin tabela të ndryshme pro-palestineze, me disa prej tyre të cilët shkruanin “Jezusi (Profeti Isa) ishte palestinez” dhe “Armët e Mbretërisë së Bashkuar janë përdorur në gjenocidin në Gaza”.

Duke brohoritu slogane si “Armëpushim tani” dhe “Palestina e lirë”, grupi kërkoi t’i jepet fund shitjes së armëve në Izrael.

Protestuesit gjithashtu apeluan për të bojkotuar kompanitë e lidhura me Izraelin, duke theksuar se, “Derisa ju shfletoni shitjet, ekziston një gjenocid që po kryhet nga Izraeli. Bojkotoni kompanitë që financojnë gjenocidin”.

Më 2 shtator, qeveria britanike njoftoi pezullimin e 30 nga 350 licencat e eksportit të armëve në Izrael pas një rishqyrtimi dhe paralajmëroi se ekziston një rrezik i qartë se disa eksporte të armëve britanike mund të përdoren në Izrael për kryerjen e shkeljeve të rënda të të drejtave ndërkombëtare humanitare.

30 licencat mbulojnë komponentët për avionë ushtarak, helikopterë, drone dhe artikuj që lehtësojnë shënjestrimin në tokë, duke përjashtuar komponentët e Mbretërisë së Bashkuar për programin e avionëve luftarakë F-35.

Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për veprimet në Gaza gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Exit mobile version