Londër, mbahet manifestim i heshtur përkujtimor për mësuesen e vrarë

Pjesëmarrësit në një manifestim të heshtur në Londër kërkuan dhënien fund të vrasjeve në rritje në Britani pas vrasjes së fundit të mësueses Sabina Nessa në një shkollë fillore, raporton Anadolu Agency (AA).

Turma, e përbërë kryesisht nga gra, u mblodh në një ngjarje në Sheshin Pegler në jug të qytetit të premten në kujtim të 28-vjeçares Nessa, trupi i së cilës u gjet i pajetë në një park pranë shtëpisë së saj javën e kaluar.

Ata bënë thirrje për t’i dhënë fund rritjes së dhunës me bazë gjinore në vend. Shumë gra në mediat sociale shprehën frikën e tyre, duke vënë në dyshim sigurinë e rrugëve të vendit.

Përdoruesit e mediave sociale u bënë thirrje autoriteteve të marrin masa drastike në mes të dhunës në rritje ndaj grave.

Apsana Begum, një anëtare e Partisë Laburiste në parlament, shkroi në Twitter se Nessa u vra në një vend publik dhe akuzoi qeverinë për dështimin gjatë “pandemisë së dhunës me bazë gjinore”.

Një grua vritet çdo tre ditë në Britani, tha Begum, duke argumentuar se vrasjet e grave nuk mund të konsiderohen si ngjarje individuale.

Grupi mbrojtës i të drejtave të grave Woman Aid tha në mediat sociale: “Nëse ‘rrugët janë të sigurta për gratë’, pse Sabina Nessa nuk arriti në shtëpi? Sa gra të tjera duhet të humbasim që qeveria dhe policia jonë të veprojnë sipas realitetit që rrugët definitivisht të mos jenë të sigurta për gratë”.

Nessa u gjet e vdekur në parkun Cator të Londrës jugore më 18 shtator. Policia Metropolitane e Londrës tha në një deklaratë se ajo mendohet se ishte sulmuar menjëherë pasi doli nga shtëpia e saj për të takuar miqtë më 17 shtator, ndërsa një burrë 38-vjeçar u arrestua por më vonë u lirua pas marrjes në pyetje. /aa