Të paktën 58 persona që konsiderohen të humbur dyshohet të kenë vdekur nga zjarri masiv që përfshiu ndërtesën Grenfell Tower në perëndim të Londrës.
Komandanti i policisë Stuart Cundy deklaroi se numri mund të ritet dhe sipas BBC, në total mund të jenë rreth 70 viktima.
Operacionet e rekuperimit në godinën e shkrumbuar, që ishin ndërprerë përkohësisht për arsye sigurie, kanë rifilluar dhe sipas zyrtarit të lartë, mund të zgjasin disa javë.
Disa banorë që arritën të shpëtonin reaguan ashpër ndaj operacioneve, duke i cilësuar ato si “shumë kaotike”.
Nga ana e tij, komandant Cundy i bëri thirrje kujtdo që ka arritur të shpëtojë që të njoftojë autoritetet që tashmë ndodhen në një vend të sigurtë.
Lidhur me operacionet, ai tha: “Sapo të mundemi do të rekuperojmë trupat dhe do të njoftojmë të dashurit e tyre”.