Lojtarët e Bayernit vlejnë 928,5 milionë euro, të PSG-së 801,4 milionë

Vlera e vlerësuar e tregut të lojtarëve të klubit gjerman Bayern Munich dhe klubit francez Paris Saint-Germain (PSG), të cilët do të takohen në finalen e këtij viti në Ligën e Kampionëve, arrin shifrën 1,7 miliard euro, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të uebfaqes gjermane “Transfermarkt”, PSG ka një vlerë prej 801,45 milionë eurosh, kurse Bayern 928,55 milionë euro.

Tre lojtarët më të shtrenjtë të Bayernit janë Leroy Sane, i cili vlen 80 milionë euro, Joshua Kimmich, 75 milionë euro, dhe Serge Gnabry, vlera e tregut e të cilit arrin shifrën 72 milionë euro.

Në të njëjtën kohë, lojtarët më të lirë të Bayernit janë Fiete Arp me vlerë 2 milionë, Oliver Batista Meier, 1,5 milion, dhe Ron-Thorben Hoffmann, 250 mijë euro.

Lojtarët më të shtrenjtë të PSG-së janë francezi Kylian Mbappe, i cili vlen 180 milionë euro, dhe braziliani Neymar, i cili aktualisht vlen 128 milionë euro në treg.

Në të njëjtën kohë, lojtarët më të lirë të klubit francez janë Kays Ruiz-Atil, me një vlerë të tregut prej 250 mijë eurosh, Denis Franchi, me të njëjtën shumë, dhe Garissone Innocent, me vlerë 150 mijë euro.

Finalja mes PSG-së dhe Bayernit do të luhet nesër mbrëma në ora 21:00 në stadiumin “Luz” në Lisbonë të Portugalisë. Ndeshja, e cila do të luhet pa praninë e spektatorëve për shkak të pandemisë së koronavirusit, do të gjykohet nga arbitri italian Daniele Orsato.

Lojtarët e Bayernit u kualifikuan për në finale pas fitores kundër Lyonit me rezultatin 3:0, kurse PSG arriti në finale me fitoren kundër RB Leipzigut, gjithashtu me rezultatin 3:0.

Liga e Kampionëve u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit në mes të marsit, kurse finalja po luhet në Lisbonë. Për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe rrethanave të reja, UEFA ndryshoi formatin e fazës së eleminimit, kështu që nuk u luajtën nga dy ndeshje por vetëm nga një, nga çerekfinalja deri në fund të turneut.

Gjithashtu, për të shmangur udhëtimet dhe për të minimizuar rrezikun e përhapjes së infeksionit, u vendos që të gjitha ndeshjet të luhen në një qytet, në kryeqytetin portugez, Lisbonë. Të gjitha ndeshjet u luajtën në dy stadiume të gjigandëve portugezë Benfica dhe Sporting, Luza dhe Jose Alvalade.