Për ironi, parimi themelor në rendin botëror të OKB-së shfaqet si ekuivalenti i njërit prej parimeve themelore të një shoqërie imagjinare në fabulën “Ferma e Kafshëve”: “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat.” Ajo që autori i fabulës, Xhorxh Oruelli, e përkufizoi si parim etik për të parodizuar një shoqëri diktatoriale me pretendime socialiste, në rendin botëror “demokratik” është normë juridike.
Çelo HOXHA, Tiranë
Për çështjen e marrëdhënieve ndërkombëtare, ekuilibrat e rinj mes fuqive, aleancat e mundshme dhe, orientimi i shqiptarëve në një botë gjithnjë në ndryshim, dhe specifikisht cila mund të jetë sjellja e shqiptarëve në të, do të shkruaj diçka teorike, të zhveshur nga romantizmi, krejtësisht. Marrëdhëniet ndërkombëtare bazohen në interesa dhe parimi themelor i tyre është fitimi. Shtetet janë sipërmarrje ekonomike, ndërsa politika është menaxhim biznesi.
Shikoni Këshillin e Sigurimit në OKB! Vendet më të fuqishme ekonomikisht ia kanë dhënë vetes të drejtën e vetos, për të mos lejuar t’u dalë nga kontrolli rendi botëror që ata kanë ndërtuar, i cili do të ishte i ndryshueshëm nëse do të hiqej vetoja dhe fuqitë ekonomike do të kishin vetëm një votë si gjithë shtetet e tjera.
Vetoja tregon shumë gjëra: hipokrizi, pasiguri, frikë, dëshirë për kontroll etj. Shtetet anëtare të OKB-së gëzojnë liri të bëjnë gjithçka që OKB-ja e e premton në traktatet e saj, me përjashtim të ndryshimit të rendit botëror ekzistues. Ai nuk është në diskutim.
Kjo e ekspozon hipokrizinë. Çdo traktat i OKB-së, çdo dokument i saj me pretendime rregullatore, është i detyrueshëm për të gjithë anëtarët e OKB, me përjashtim të anëtarëve me të drejtën e vetos. Vetoja është instrumenti për bllokimin e çdo lloj vendimmarrjeje të mundshme, e cila konsiderohet jo e dobishme, jo e përshtatshme ose dhe e rrezikshme nga vendet me fuqinë e vetos.
Për ironi, parimi themelor në rendin botëror të OKB-së shfaqet si ekuivalenti i njërit prej parimeve themelore të një shoqërie imagjinare në fabulën “Ferma e Kafshëve”: “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat.” Ajo që autori i fabulës, Xhorxh Oruelli, e përkufizoi si parim etik për të parodizuar një shoqëri diktatoriale me pretendime socialiste, në rendin botëror “demokratik” është normë juridike.
Organizimi në komunitetin ndërkombëtar e ka në thelb parimin fort të dashur për diktatorët, moslejimin e ndryshimit të rendit politik ekzistues. Në Shqipërinë komuniste (1944-1991), një rend totalitar në ekstrem, ekzistonte ky parim kushtetues: qytetarët nuk mund të synonin ndryshimin e rendit kushtetues, as nëse një gjë e tillë mund të realizohej duke shfrytëzuar të drejtat që u jepte kushtetuta. Pra, rendi politik ekzistues nuk ishte diçka për diskutim, edhe pse mund të ekzistonte hapësira kushtetuese për ta bërë një gjë të tillë.
Për shkak të mënyrës specifike të organizimit të rendit botëror, paqja është diçka e pamundur. Mungesa e luftës jodomosdoshmërisht do të thotë paqe. Mes një shteti që e humbet sovranitetin, pavarësinë dhe kontrollin e burimeve ekonomike të tij, për shkak të një sulmi ushtarak, dhe një shteti që e humb sovranitetin, pavarësinë dhe kontrollin e burimeve në rrugë “paqësore”, nuk ka asnjë ndryshim. Realiteti përfundimtar në të dyja rastet është i njëjtë.
Prandaj mund të thuhet me siguri që paqe nuk është mungesa e luftës (konfliktit të armatosur), por një gjendje mendore qetësie. Kur dikush, shtet apo individ, mund ta arrijë pa dhunë (luftë) atë për të cilën dikur dhuna ishte e pashmangshme, nuk kemi të bëjmë me një situatë paqësore, por me realizimin e të njëjtave qëllime duke përdorur instrumente të ndryshme, jo të dhunshme. Mirëpo, gjendja shpirtërore e palëve është identike me atë të gjendjes së luftës. Pala e dëmtuar e urren palën që ia ka marrë sovranitetin, pavarësinë dhe kontrollin e burimeve, pavarësisht se këto ndjenja nuk i shfaq në mënyrë të dukshme. Ndërkaq, pala sunduese, ashtu si forca pushtuese në një vend të pushtuar, nuk ka besim te vendasit dhe është e dominuar nga pasiguria.
Dikur gjërat ishin të thjeshta për të dyja palët – vinte ushtria e huaj, e vendoste autoritetin e saj dhe ti bëheshe pjesë e perandorisë ose fuqisë pushtuese. Në kohën e sotme, pas bilancit tragjik të dy luftërave botërore, dhe me nivelin e lartë të teknologjisë, edhe pushtimet janë bërë “wireles” – pa kontakt të drejtpërdrejt. Tashmë shtetet pushtohen ose vendosen nën diktatin e fuqisë me kredi (lexo: borxhe), me investime “strategjike”, me vendosje sistemesh mbrojtëse “kundërajrore”, me vendosje bazash ushtarake, me integrim ose mosintegrim në një komunitet federativ etj. Shkurt, në kohë lufte apo paqeje, për kombet e vogla pavarësia e sovraniteti nuk kanë pasur e nuk besoj se kanë kuptim. Përjashtim nga ky rregull bën retorika e romantikëve. Ata që shkruajnë për realitetin që duhet të jetë, e jo për atë që është.
Një vend i vogël është i pavarur e sovran aq sa e lejojnë ata që kanë mundësi ta pushtojnë. Shqipëria është një vend i vogël, por ka vende edhe më të vogla, të cilat edhe Shqipëria mund t’i pushtonte nëse do të lejohej për një sipërmarrje të tillë.
Rregulli, në politikën ndërkombëtare, ashtu si në xhungël, është “shtriji këmbët aq sa e ke jorganin”. Vendimmarrja u takon të tjerëve. Kur një vend i vogël, si Shqipëria, bën marrëveshje me një vend të fuqishëm, nuk është se ato negociojnë ndonjë gjë. Thjesht, vendi i vogël nënshkruan çfarë ka vendosur pala e fuqishme me vullnetin e saj të lirë të konsiderohet e negociueshme dhe e nënshkrueshme. Kjo është mënyra më e pëlqyer prej fuqisë, sepse e prezanton atë si jo të dhunshme, superiore, të civilizuar.
Gjithë kjo hyrje teorike ka një qëllim të thjeshtë – ta kuptojmë si funksionon bota rreth nesh, të aftësohemi për ta kuptuar kontekstin që ka çuar në një përfundim të caktuar dhe ta pranojmë me sa më pak dhimbje realitetin, kur ai nuk përputhet me dëshirat tona. Kjo ndihmon për të krijuar pritshmëri të arsyeshme.
Në një botë ku të gjithë luajnë për të fituar, përpiqu që në bilancin përfundimtar të mos jesh në anën e humbësve.
Ndërsa për lapsaxhinjtë, si puna ime, e kam këtë këshillë: shkruani për botën ashtu siç është, jepni këshilla bazuar në realitetin faktik, ndërkohë gjakoni për vendosjen e një rendi botëror të së drejtës. Pra, predikoni një botë ku parimi themelor nuk është fitimi, por drejtësia. Ku i dihet, pasardhësit tanë, një ditë, mund ta bëjnë realitet! /revistashenja