Ballina Autorë Opinione Llogaribërje për Gazën në Natën e Kadrit

Llogaribërje për Gazën në Natën e Kadrit

Dr. Metin Izeti

“Kush e gjallëron Natën e Kadrit me besim dhe llogaribërje, duke pritur shpërblimin nga Allahu, atij i falen të gjitha mëkatet e kaluara” është një hadis që transmetohet nga Ebu Hurejra radiallahu anhu dhe lirisht mund të thuhet se e paraqet në trajtën më të plotë përgjigjen se pse Nata e Kadrit është e cilësuar si më me vlerë se një mijë muaj. Natën e Kadrit e bën me vlerë besimi, pra, lidhja me vargun e Qenies dhe bërja pjesë e atij vargu si dhe përpjekja për të kontribuar në ndryshimin dhe zhvillimin e botës dhe njerëzimit, gjë që bëhet me llogaribërje dhe përqëndrim shpirtnor e mendor për ngadhnjimin e të vërtetës , të mirës dhe të bukurës.

Mendimi me llogaribërje do të thotë të menduar i orientuar në vlerësimin e të kaluarës, përqëndrimin në të tashmen dhe imagjinatën për të ardhmen. Mendimi që nuk është i orientuar, është i turbullt, nuk të çon askund. Të menduarit llogaribërës është soditës, asociativ, sjell në lidhje gjërat, ngërthen aludime. Llogaribërja të çon te mendimi tjetër pa ndonjë udhëzim nga ana jote. Një mendim të çon te një tjetër pikërisht për shkak të shoqërimit të ngjarjeve të kujtesës me imagjinatën e të ardhmes, sepse ato janë të lidhura. Për shembull, tash jemi duke përjetuar një gjenocid të paparë në Gazë, në Palestinë. Në momentin që e shohim këtë barbarizëm të njeriut modern, mendja jonë fillon të mendojë për arrogancën dhe humbjen e të njerëzishmes tek njeriu. Kjo gjendje na emocionon, normal nëse kemi të njerëzishmen brenda vetes, dhe fillojmë të bëjmë asociacione me atë temë. Pandërprerë bota moderne ka folur për të drejtat e njeriut, të grave, të fëmijëve, për holokaustin dhe për një moment ajo që është folur të vjen në mendje dhe e përjeton se je mashtruar dhe je gënjyer. Nga ana tjetër, përpara të dalin edhe asociacione me burshtetas, dijetarë me mjekra e shallvare, pasanikë me sofra të plota të botës myslimane, që pandërprerë flasin për vlerat e fesë, të Kur’anit, traditës profetike, dhe sërish e përjeton se je mashtruar dhe të kanë gënjyer. Pastaj ajo që është thënë harrohet dhe tashmë je lidhur me të vërtetën përmes ngjarjeve aktuale, të të tashmes, pra, me Gazën… Dhe pastaj kjo imagjinatë reale të çon diku më tej. Dhe kështu shkon rrotull e rrotull dhe mbetesh në vorbullën e paqartësisë ndërmjet asaj që e di për të vërtetën dhe asaj që po ndodhë…

Gjithmonë kur jemi të përqëndruar në adhurimin dhe kur prania metafizike është me support të veçantë duhet të përpiqemi të kthehemi në epiqendrën prej ku vijnë mendimet. Të kthehemi mbrapa dhe të analizojmë se çka ka ndodhur në të kaluarën me aktorët e njëjtë, të të dyja palëve. Edhe me “tonët” edhe me të “huajt”. Atëherë do të shohim se një mendim tjetër është atje, dhe se ju ka sjellë atje, dhe ato nuk janë të lidhura logjikisht me të tashmen. Si mund të lidhet vrasja e mijëra fëmijëve, grave, njerëzve të pafajshëm me mendimin tuaj për holokaustin, për të vërtetën, për liritë dhe barazitë, për shenjtërinë e jetës, për atë se myslimani nuk mund të flejë i qetë nëse fqiu i tij është në siklet dhe vështirësi..! Nuk ka asnjë lidhje logjike, por ka vetëm një asociacion në mendjen tonë. Nata e Kadrit krijon një lidhje individuale që çon në një zinxhir ngjarjesh. Pastaj mendja fillon të veprojë si një varg ngjarjesh. Pastaj një gjë të çon në një tjetër, një tjetër në një të tretë, e kështu me radhë.

Mundohesh të arsyetosh atë që të vjen në mendje, por habitesh, dhe s’ke arsyetim. Çfarë po ndodh me gjenin tonë! Nuk ka asnjë lidhje midis asaj që ndodh dhe asaj që pretendojmë ta kemi si ide gjeneruese të qytetërimit. Të menduarit në këtë rast bëhet soditje, pasi lëviz drejtpërdrejt nga njëra anë dhe me shoqërim nga ana tjetër. Në Natën e Kadrit si mundësi e suportuar e adhurimit dhe llogaribërjes njeriu i sotshëm, veçanërisht myslimani duhet të përqëndrohet në një pikë, në Gazë, duke i mbajtur të kyçura të gjitha asociacionet. Të fokusohemi vetëm në atë problem, aty të fokusojmë mendjen. Mendja, shpesh, përpiqet të shpëtojë nga rruga e drejtë në ndonjë mendim anësor – të shkojë drejt ndonjë shoqërimi anësor, të shpëtojë veten. Por, zemra, nëse është e pastër, i shmang të gjitha devijimet, çdo mendim tjetër anësor për ardhmërinë e njerëzimit është i kotë, nëse anashkalohet gjenocidi në Gazë, ku pjesëmarrës është edhe Perëndimi edhe Lindja, jemi të gjithë. Ngjashëm siç ka qenë problemi i holokaustit pas luftës së dytë botërore. Paramendoni njerëzit mos të kishin menduar fare prë holokaustin, mos të ishin bashkangjitur përjetimive të viktimave të holokaustit, vallë si do të ishte bota sot..! Pikërisht, për këtë them se duhet ta përqëndrojmë mendjen vetëm në një rrugë…

Kur, poeti sodit një lule: atëherë e gjithë bota lihet mënjanë dhe vetëm poeti dhe ajo lule janë të pranishme. Poeti shkon pas asaj luleje. Mund të jetë i tërhequr nga shumë gjëra anësore, por nuk do të lejojë që mendja t’i shkojë anash. Më pas mendja lëviz në një drejtim, në një linjë. Është kjo, soditje. Qytetërimi bazohet në soditje.

Besimtari në Natën e Kadrit është si poeti. Ai duhet të sodit Gazën, e gjithë bota të lihet mënjanë dhe vetëm besimtari dhe Gaza të jenë të pranishme. Besimtari duhet në imagjinatë të ecë pas asaj luleje, pas Gazës, jo vetëm për Gazën, por edhe për veten. Nuk duhet të lejojë që mendja t’i shkojë anash. Kjo është llogaribërja e Natës së Kadrit për besimtarin dhe njeriun e kohës tonë.

Nata e Kadrit e ngërthen edhe përqendrimin, është qetësi në një vend. Nuk është vetëm soditje. Nuk është vetëm të menduar, është vetëm qëndrimi në një pikë, duke mos e lejuar mendjen të lëvizë. Gjatë të menduarit, mendja lëviz çmendurisht – gjatë të menduarit të zakonshëm. Në soditje, ajo mendje e çmendur udhëhiqet, menaxhohet; nuk mund të ikë. Në përqendrim mendja nuk lejohet të lëvizë fare. Pastaj e gjithë energjia ndalon, të gjitha lëvizjet ndalen, ato mbërthehen në një vend.

Ibadeti nafile, adhurimi shtesë merret me përqendrimin, njeriu i zakonshëm është i zënë me të menduarit e paorientuar, ndërsa besimtari i përshpirtshëm përdor të menduarit e orientuar. Mendja e orientuar nga shpirti ka një të menduar të tillë, të përqendruar, të fiksuar, me një pikë, pa asnjë lëvizje. Dhe në përqendrim, lëvizja në asnjë drejtim nuk lejohet. Në përqendrim, shpirti, mendja, zemra janë vetëm në një vend. Përqëndrimi në të vërtetën dhe meditimi është një gjendje “pa mendje”, por me shpirt. Dhe pikërisht këtu është e vërteta nominative, por edhe ajo fenomenative, pra, rasti i Gazës. Kjo është arsyeja pse pastrimi nuk mund të arrihet vetëm me mendje, por ka nevojë prë zemrën, ky është niveli më i lartë, kulmi, një gjendje me mendje të shoqëruar nga shpirti.

Pse është kaq e rëndësishme, së paku, të mendohet, meditohet, në lidhje me ngjarjet në Gazë? Për shkak se ia kemi borxh viktimave, por edhe vetes. Tirania dhe trajtimi i padrejtë i njerëzve nuk duhet të mbizotërojë me botën. Megjithatë, e shohim që ato ende ekzistojnë. Edhe sot, shtetet e mëdha përpiqen të imponojnë vullnetin e tyre me forcë dhe nuk i shmangen vrasjeve masive dhe gjenocidit. A nuk është për të menduar dhe a nuk është për të ardhur keq se në çfarë gjendje të mjerrueshme është njerëzimi…

Me librin “Eichmann në Jerusalem”, Hannah Arendt filloi debatin aktual rreth natyrës së së keqes moderne. Teza e saj mbi banalitetin e së keqes prishi nocionet standarde të së keqes si diçka që shkatërron horizontet e pritshmërisë së njeriut dhe kapërcen rrjedhën e zakonshme të jetës së vetëdijshme. Në të kundërt, sipas Hannah Arendt, e keqja banon kryesisht në anën e zakonshme, të përditshme të jetës. Në mënyrë metaforike, diagnoza e Hannah Arendt shkaktoi një zhurmë sepse ajo zbriti të keqen në tokë. E keqja nuk banon më në sferat transhendente, të largëta dhe të paarritshme të ekzistencës, ajo është më tepër një “tradhti e transcendencës”. Në vend të epiteteve të dikurshme, të cilat në nivel përshkrues e lidhnin të keqen me demoniken, monstruozen, mbinatyroren, me diçka që i tejkalon masat njerëzore dhe për rrjedhojë është e paarritshme për të kuptuarit njerëzor, tani e keqja është bërë diçka e njohur, e afërt, e zakonshme.

Këtu duhet të jemi të kujdesshëm dhe të kujtojmë se që nga lashtësia, burimi i së keqes është identifikuar me prirjen njerëzore për të neglizhuar dhe braktisur marrëdhënien me Zotin si vendimtare dhe të pakrahasueshme. Nëse ai ndahet nga Krijuesi i tij dhe e vetmja fortesë në jetën e vërtetë dhe qenien e vërtetë, njeriu braktiset në një ekzistencë apostate dhe të pashpresë në anën tjetër të së mirës dhe së bukurës. Zullumi dhe e keqja janë të vetmet gjëra që e ndjekin pasi bën një gabim katastrofik dhe i ktheu shpinën Zotit. Arendt interpreton tradhtinë e transcendencës pas Heidegger-it, i cili e vendos ekzistencën njerëzore në kuadrin e banalitetit, në “të qenit i humbur në një publik jopersonal”, në atë që lëvizim së pari dhe më shpesh (zunächst und zumeist ). Prandaj, autorët e së keqes nuk fshehin asgjë të pazakontë, përkundrazi, ka të bëjë potencialisht për të gjithë ne, si dhe për njerëzit që takojmë më shpesh. Kështu, e keqja çmitizohet. Nga njëra anë, efektet e saj mbeten të tmerrshme, por nga ana tjetër, origjina e saj është e lidhur me të parëndësishmen në çdo qenie njerëzore.

Parë në këtë mënyrë, fenomeni i së keqes në botën bashkëkohore polarizohet në një mënyrë që nuk është regjistruar më parë. Në vend që të përfaqësojë anën e errët të ekzistencës dhe të qëndrojë në kundërshtim me të mirën, e keqja tani është e ndarë brenda vetes. Pamja magjepsëse, kërcënuese dhe shqetësuese e së keqes është e ndërthurur me atë banale, të njohur për të gjithë, në dukje të lehtë për t’u kuptuar. Metafora e gjeniut të keq, pra kuptueshmëria e vështirë transparente, e errët që tradicionalisht i atribuohej burimeve të së keqes, tani është komprometuar, sepse referimi për banalen nuk kërkon shumë fjalë, vetë etiketa duket se mjafton për të na kthyer shikimin përreth. Pavarësisht se si vendosim në lidhje me tensionin e përmendur, mbetet e padiskutueshme se përballja me Gazën e transformoi plotësisht konceptin e së keqes.

Ndoshta këtë që ndodh mund ta sqarojë edhe ideja udhërrëfyese e fenomenologjisë së neverisë tek Aurél Kolnai, pasi ajo mbështetet edhe në një shkallë vlerash që shtrihet midis dy ndjenjave të kundërta. Në të njëjtën kohë, duhet theksuar se edhe brenda qëllimit të neverisë, ndriçohet një dualitet i caktuar. Domethënë, ekziston urrejtje për veten, urrejtje që konstituohet brenda marrëdhënies me veten. Sartri e interpreton atë si një shprehje të ballafaqimit të elementeve inerte të pashërueshme të qenies sonë, në fjalorin e tij, me vetë qenien tonë-në-vete. Nga ana tjetër, përvojat e përditshme na tregojnë se ne shprehim neveri në mënyrë të pakrahasueshme më shpesh ndaj diçkaje që është jashtë nesh. Kështu, gjuha frënge dallon nausée dhe dégoût, dhe gjermanishtja Überdruss dhe Ekel. Në shqip mund të themi se jemi të neveritur me veten, por jemi të neveritur edhe nga dikush tjetër. Kolnai flet kryesisht për këtë të fundit, duke e mbështetur fenomenologjinë e tij të neverisë në një tezë që e njohim që nga antropologjia e Dekartit. Figurat e një neverie të tillë ne jemi duke i përjetuar për çdo ditë në fotografitë që na vinë nga rajoni i Palestinës.

Kur bëhet fjalë për Gazën, është jashtëzakonisht e rëndësishme të vihen re atributet e qëndrueshmërisë, pandryshueshmërisë dhe këmbënguljes, si karakteristika thelbësore të ndjenjave që ushqehen ndaj objekteve të urrejtura dhe “të pavlera”. Ato koncepte e mbajnë përgjegjësisë para cionistëve për mungesën e vendit të tyre, ata “posedojnë” atë që u mohohet, edhe pse është e dëshiruar dhe “e merituar”.

Antropologjia e rendit totalitar zhvillohet në dy drejtime: adhurimi i “kombit të zgjedhur” ngrihet dhe bie së bashku me aftësinë e komunitetit për të shprehur neverinë ndaj të gjithë atyre që përfaqësojnë në çfarëdo mënyre të kundërtën e konstruktit të idealizuar të kombit. Ndërsa ndjenjave pozitive ndaj “kombit” u jepet përsëri dhe përsëri mundësia për t’u kapur pas sferave të reja të ekzistencës, duke demonstruar vazhdimisht patejkalueshmërinë, përsosmërinë dhe pagabueshmërinë e tij, qeniet e denoncuara si të dëmshme për jetën ruajnë vendosmërinë e tyre të frikshme, të pamëshirshme, kërcënuese. Ata thjesht nuk kanë shanse të meritojnë ndonjë personalitet pozitiv. Ndryshe nga “kombi i zgjedhur”, i cili shkëlqen në të gjitha fushat e jetës, konstrukti obsesiv dhe kundërfaktual i kombeve të tjera është shpallur vazhdimisht objekt neverie të përhershme.

Ndërsa, nga ana tjetër përballemi me një konformizëm dhe oportunizëm kardinal të botës myslimane. Morali si protestë aktive por edhe shprehje e nevojës është shumë e nevojshme për botën myslimane sot. Duhet të angazhohen, të gjallërohen qytetarët, vullneti dhe energjia e tyre, që ata të jenë të përhershëm “karburanti” i ideve të avancuara. Oportunizmi si tregues i një forme të sjelljes imorale në politikë dhe udhëheqje është një rrezik i madh. Oportunizëm do të thotë përshtatje, kompromis, linjë e rezistencës më të vogël, sjellje joparimore, kapitullim, mospërputhje, rrëmujë civile, mosangazhim, hipokrizi, frikë etj. Rrënja e oportunizmit është frika, por jo vetëm frika si kategori individuale psikologjike, por edhe si kategori social-politike. Sjellja oportuniste është gjithashtu një shprehje e disfatizmit, bindjes se gjithsesi nuk mund të ndikohet ndjeshëm në “rrjedhën e gjërave”. Verbalizmi është bërë me të vërtetë forma më e zakonshme e oportunizmit dhe konformizmit në botën myslimane. Është çështje morale të heqim dorë nga disa verbalizma që janë bërë vetë-mburrje tek myslimanët.

Në këto netë të fundit të Ramazanit të bekuar ku fshehet edhe Nata e Kadrit besoj se duhet të konstatojmë se njerëzimi ka nevojë për rinovim moral…

Exit mobile version