Llapit i refuzohet ankesa edhe nga shkalla e dytë

Komisioni për Ankesa, shkalla e dytë e Federatës së Futbollit të Kosovës, ka hedhur poshtë ankesën e Llapit dhe ka vërtetuar vendimin e Komisionit të Garave. Kësisoj, ndeshja Malisheva – Llapi (2:1) është regjistruar me rezultatin e arritur në fushë.

Llapi kishte kërkuar pikët e plota nga ndeshja me Malishevën, pasi pretendonin se Rilind Haziraj ishte inkuadruar pa të drejtë loje. Komisioni i Garave e kishte hedhur poshtë kërkesën si të “paafatshme”.

Por skuadra podujevase kishte thënë se ankesa ishte bërë me kohë. Megjithatë, Komisioni për Ankesa i ka dhënë të drejtë Komisionit të Garave.

“Komisioni për ankesa në përbërje të plotë me datë 21.03.2024 ka shqyrtuar me kujdes këtë ankesë, të gjitha shkresat e lëndës, vendimin e komisionit të garave dhe në mbeshtetje të rregullores së garave të FFK ka vërtetuar vendimin e komisionit të garave të datës 15.03.2024, duke e cilësuar si vendim të drejtë i cili mbetet në fuqi. Në ankesen e ’’KF Llapi 1932’’ atakohet vendimi i komisionit të garave duke u thirrur në nenin 62 të propozicionit të garave i cili përcakton rregullat e përgjithshme dhe afatet kohore në procedimin e ankesave në rrjedhen e pergjithshme të kampionatit. Përjashtimisht ketij rregulli kur gjirot zhvillohen të dielen dhe të mërkurën atëherë kompletimi i lëndës së ankesës dhe taksimi i saj duhet të bëhet brenda 24 orëve nga përfundimi i ndeshjes së zhvilluar. Loja në mes të KF Malisheva dhe ’’KF Llapi 1932’’ është zhvilluar ditën e mërkurë të datës 13.03.2024 dhe gjiroja pasuese në kuadër të kampionatit ka qenë në fundjavë, atëherë për rastin në fjalë duhet zbatuar rregulli i nenit 72, të Rregullorës se garave të FFK-së. Me këtë rast ’’KF Llapi 1932’’ nuk i ka respektuar afatet kohore me rastin e procedimit të taksimit për këtë lendë dhe me të drejtë ankesa është cilësuar e paafatshme. Duke u bazuar në të gjitha faktet referuar më lart vlerësohet se vendimi i shkallës së parë është drejtë dhe në perputhje me aktet normative të FFK-së”, thuhet në arsyetimin e Komisionit për Ankesa.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pas vendimit të shkallës së parë kishte akuzuar Ballkanin se ka lidhje me vendimin.

Llapi vijon të mbetet në pozitën e dytë, me një pikë më pak se lideri Ballkani.