Llapi kërcënon FFK-në me mos dalje në fushë

Klubi nga Podujeva, Llapi ka dalë me një reagim zyrtar duke akuzuar gjyqtarin Visar Kastrati dhe Federatën e Futbollit të Kosovës, pas rezultateve jo të mira në dy ndeshjet e fundit ku ky gjyqtar ndau drejtësinë.

Barazimi 1-1 në fundjavën e fundit në udhëtim te Dukagjini ka bërë që klubi nga Podujeva të ndahet e pakënaqur me ndarjen e drejtësisë.

Sipas tyre, gjyqtari Visar Kastrati i ka dëmtuar në disa rast në ndeshjen ndaj Dukagjinit, por edhe para dy jave ndaj Dritës në “Zahir Pajaziti”.

Llapi me anë të një reagimi zyrtar ka akuzuar Kastratin dhe FFK-në për rezultatet jo të dëshiruara.

Ata gjithashtu kanë theksuar se më nuk do të luajnë nëse ky gjyqtar delegohet në ndeshjet e tyre.

Reagimi i Llapit pa ndërhyrje

REAGIM

“Duam të reagojmë sërish për mediat, opinionin e futbollit dhe komunitetin e futbollit kosovar, pas analizave në detaje të të gjitha ndeshjeve, sidomos dy ndeshjeve të fundit të gjykuara nga Visar Kastrati.

Ky turp i krijuar ndaj nesh ka emër Visar Kastrati, së bashku me ata që e deleguan në ndeshjet e klubit tonë.

Rastin e penalltisë së paakorduar ndaj nesh e kemi analizuar dhe konsultuar me shumë njohës të futbollit dhe ndihemi të dëmtuar nga i njëjti gjyqtar që FFK e shpalli më të mirin, kurse në VAR duke “fjetur” ishte gjyqtari Burim Jahmurataj dhe asistenti i tij Fatlum Jashari.

Ne nuk dyshojmë në aftësitë e tij të gjyqtarit, por gjykimi i tij ishte skandaloz dhe më i keq për futbollin kosovar.

Visar Kastrati, i cili punon si Koordinator i referimit dhe merr pagë mujore nga FFK, vazhdon me avazin e vjetër duke dëmtuar një klub të organizuar shkëlqyeshëm si klubi ynë.

Kjo nuk do shumë koment por që po ndikon drejtpërdrejt dhe qëllimisht tek rezultatet tona.

E paralajmërojmë FFK-në se nuk na intereson se si do delegohen gjyqtarët në xhiron e radhës, por në momentin që Visar Kastarati delegohet në ndeshjet tona të ardhshme në këtë kampionat, ne nuk do të dalim në fushë fare, pastaj përgjegjësinë për mosdaljen tonë në fushë le t’a mbaj FFK, Komisioni i Garave dhe njerëzit që janë kompetent për delegimin e gjyqtarëve.

P.s Edhe një herë, po publikojmë pamjet dhe interpretimin e njerëzve që kanë karrierë të pasur në futboll, pa mbajtur anë, por duke folur dhe vlerësuar rastin me realitetin e situatës në një ndeshje futbolli.”

Momentalisht Llapi ndodhet në vendin e tretë të Superligës së Kosovës, me katër pikë më pak se lideri Ballkani.