Liverpooli pranoi që në minutën e tretë, por megjithatë u largua si fitues nga stadiumi “San Siro”.
Të martën mbrëma skuadra e madhe angleze fitoi 3:1 ndaj Milanit, në xhiron e parë të fazës së ligës në Champions.
Ndeshja Milan – Liverpool është vlerësuar kryesorja e ditës së parë të ndeshjeve të xhiros së parë.
Christian Pulisic kaloi në epërsi 1:0 Milanin me të nisur ndeshja.
Por Liverpooli u përgjigj që në pjesën e parë. Mbrojtësi i qendrës, Ibrahima Konate barazoi në 1:1 në minutën e 23-të.
Një tjetër ndërprerje solli goditjen e radhës për ekipin italian. Mbrojtësi tjetër i qendrës së Liverpoolit, Virgil van Dijk shënoi për 2:1 në minutën e 41-të.
Goditjen përfundimtare Milanit ia dha Dominik Szoboszlai me golin e minutën e 67-të. Më i bukur se goli i Szoboszlait ishte asistimi i Cody Gakpos.
Liverpooli që në ndeshjen e parë ka dëshmuar se ka synime të mëdha në këtë edicion të Championsit.