Liverpooli mbetet pa Szoboszlain

Mesfushori që po paraqitet me sukses te Liverpooli, Dominik Szoboszlai, ka pësuar lëndim muskulor dhe do të jetë jashtë fushës së gjelbër për dy ndeshjet e ardhshme.

Kështu ka thënë të premten trajneri Juergen Klopp.

“Mund t’ju konfirmoj se ka të bëjë me lëndim, me lëndim muskulor. Shpresojmë që ai të kthehet shpejt, por këtë nuk e dimë”, ka thënë Klopp.

Ai u lëndua në ndeshjen ndaj Newcastlet dhe e la fushën në minutën e 64-t. Kloppi ka konfirmuar se hungarezi do të mungojë kundër Arsenalit në Kupën FA dhe kundër Fulhamit në gjysmëfinale të “Carabao Cup”.

23-vjeçari Szoboszlai iu bashkua Liverpoolit në verën e vitit 2023 nga Leipzigu. Deri tani ka zhvilluar 26 ndeshje dhe ka shënuar katër gola.